Përkujdesje aq sa duhet s’po kanë as institucionet shëndetësore në Komunën e Podujevës, shkruan Llapi.info
Pamje që s’ngjasojnë më një objekt të tillë ka edhe ambulanca në fshatin Batllavë, ku shërbime në të marrin katër fshatra. Edhe pse ka pak kohë që është ndërtuar, barishtet thuajse kanë arritur lartësinë e këtij objekti.
E për gjendjen e tillë, ka reaguar shefi i VV-së në asamblenë komunale, Fitim Haziri. Sipas tij, ambienti i këtij institucioni të lë përshtypjen e një mjedisi të rrezikshëm dhe jo të përmirësimit të shëndetit.
“Në pamje të parë duket sikur një vend i shkret, i mjerë dhe i braktisur, por në fakt është Ambulanca e Mjekësisë Familjare në fshatin Batllavë e ndërtuar para tri viteve, ku në këtë ambulancë marrin shërbimet banorët e 4 fshatrave: Batllavë, Gerdovc, Kaçibeg dhe një pjesë e fshatit Dumosh e që janë një numër i madh i banorëve. Ky ambient të lenë përshtypjen e një mjedisi të rrezikshëm për shëndetin, e jo të një institucioni i cili ka si qëllim kryesor promovimin, ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës”, ka deklaruar ai.
“Sa e sa institucione shëndetësore kemi në këtë gjendje në komunën e Podujevës dhe ne sikur jemi pajtuar me këtë. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon mjedisin si një grup faktorësh të jashtëm që mund të ketë një efekt të rëndësishëm në shëndet. Ne sikur jemi bërë indiferent ndaj diçkaje që kërcënon vërtet shëndetin tonë!”, ka përfunduar ai shkrimin në Facebook./Llapi.info