Derisa “Camp Nou” u zbraz dhe lojtarët e stafi u larguan, një figurë e vetme po qëndronte ulur në gjysmën e fushës, i rrethuar nga afro 100 mijë ulëse.

Andres Iniesta, që i dha fund karrierës 22-vjeçare te Barcelona, shkoi te mesi i fushës edhe një herë, të fundit, për të reflektuar në këtë arenë të cilën e njeh më mirë se kushdo tjetër, shkruan Koha Ditore.

Më herët, spikerit të stadiumit iu deshën dhjetë minuta, pas fishkëllimës së fundit, për të heshtur tifozët e Barcelonës, në mënyrë që t’ia jepnin fjalën njeriut të “miliona pasimeve”.

Iniesta ishte në lot derisa videoja e momenteve të tij të mëdha u shfaq në disa ekrane nëpër “Camp Nou”.