Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se partia e tij asnjëherë nuk e kanë përmendur që nuk janë të gatshëm për një tryezë të përbashkët me liderët e partive.

Sipas Lekajt një tryezë e tillë do të i’a mundësonte AAK-së që ti paraqesin arsyet në detaje se pse Ramush Haradinaj duhet të jetë President i Republikës së Kosovës.

“Ne si Aleancë asnjëherë nuk e kemi thënë që s’jemi të gatshëm të ulemi në një tryezë me liderët e partive të tjera për të folur në lidhje me çështjen e presidentit, bile një tryezë e tillë do të na mundësonte që ti paraqesim arsyet tona në detaje pse ne mendojmë që Ramush Haradinaj duhet të jetë President i Republikës së Kosovës”, tha Lekaj në një përgjigje për Periskopin.

Lekaj tha se nuk është Haradinaj si shkak i shkuarjes në zgjedhjes sepse sipas tij, zgjedhja e presidentit mund të bëhet edhe pa AAK, “Le të merren vesh ndërmjet vete dhe le të e zgjedhin Presidentin”, shtoi ai.

“A po shkojmë në zgjedhje vetëm për shkak të insistimit që Ramush Haradinaj të jetë President? Jo, asnjëherë. Sot në këtë moment që po flasim, fuqia politike e Aleancës në kuvendin e Kosovës përkthehet në 15 vota. Ekzistojnë në Kuvend edhe 105 vota të tjera(81 duhen për zgjedhjen e Presidentit), pra mund ta zgjedhin presidentin edhe pa neve. Le të merren vesh ndërmjet vete dhe le të e zgjedhin Presidentin”, shtoi ai.

AAK tashmë sipas Lekajt veçse ka filluar përgatitjet për zgjedhje.

“Në shumicën e komunave, Aleanca veç i ka caktuar kandidatët për kryetarë komunash, si dhe në shumicën e komunave janë zgjedhur edhe kandidatët për asamble komunale, që është një faktor tregues që Aleanca është e konsoliduar në të gjitha degët e saj. Aleanca është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, jemi të konsoliduar shumë mirë në strukturat partiake. Në shumicën e komunave, Aleanca veç i ka caktuar kandidatët për kryetarë komunash, si dhe në shumicën e komunave janë zgjedhur edhe kandidatët për asamble komunale, që është një faktor tregues që Aleanca është e konsoliduar në të gjitha degët e saj”, tha ai.

Ndërsa lidhur me pozitën e presidentit, Lekaj thotë se nuk heqin dorë dhe se Ramush Haradinaj duhet të zgjedhet kryetar i shtetit.

“Sa i përket çështjes së presidentit, ndoshta partitë tjera kanë paragjykime për shkak të nominimit të hershëm nga jonë për z. Haradinaj për president të shtetit, por ne e kemi bërë këtë në mënyrë që të jemi sa më transparent në këtë proces, para partnerëve tanë, opozitës dhe gjithë qytetarëve. Ne qëndrojmë prapa vendimit që kemi marrur si parti, që ta kemi kandidat për president Ramush Haradinajn, por kjo nuk do të thotë që partitë tjera nuk kanë të drejtën e tyre që të nominojnë kandidatët e tyre për president”, ka thënë ai.