Në mars të këtij viti, pas 3 vitesh zvarritje, Kuvendi i Kosovës miratoi Marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte njoftuar më pas për arritjen e një qëndrimi të përbashkët për rishikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me kryeministrin malazez, Dushko Markoviq. Kryeministri Ramush Haradinaj, pati thënë se marrëveshja e re vendos rishikimin e pjesës së ujdisë që lidhet me përcaktimin e kufijve të dy zonave problematike, Çakorrit dhe Zhlepit.
Të dy patën thënë se janë pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan Koha.net.
Qeveria e Kosovës tha se korrektimi i vijës kufitare me Malin e Zi do të bëhet para afatit të parashikuar, pra më shpejt se brenda dy vjetësh. Por, një gjë e tillë ende nuk ka filluar.
Shefi i Zyrës për informim në Qeverinë e Ramush Haradinajt, Halil Matoshi, ka thënë se pret që një gjë e tillë të nisë së shpejti.
“Korrektimi i kufirit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit do të nisë së shpejti sipas Marrëveshjes ndërmjet dy shteteve. Komisioni shtetëror për caktimin dhe menaxhimin e vijës kufitare e ka hartuar strategjinë për këtë proces dhe beson se do të përmbyllet në afat optimal”, ka thënë Matoshi në një përgjigje për Koha.net.
Më 4 qershor, ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skënder Durmishi, i ka dorëzuar palës malazeze notën verbale të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, me të cilën është konfirmuar se Kosova i ka përfunduar procedurat e brendshme ligjore – të nevojshme për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për kufirin shtetëror midis dy vendeve. Marrëveshja hyri në fuqi po atë ditë.
Edhe kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Kosovë – Mali i Zi, Shpejtim Bulliqi, tha për Koha.net se pala kosovare është e gatshme për bisedime kur bëhet fjalë për korrektimin e vijës kufitare. Megjithatë, ende nuk ka ndodhur asnjë takim.
“Ajo çka mund të ju them është se deri më tani komisioni pjesë e të cilit jam, është marrë vetëm me çështje teknike të brendshme si dhe ka punuar në përgatitjen e strategjisë se si t’i qaset këtij procesi pasi që institucionet qendrore ekzekutive (Qeveria) t’i përfundojë procedurat diplomatike ndërshtetërore. Tek javë më parë është bërë njoftimi për palën malazeze me anë të notës verbale se Kosova e ka ratifikuar projektligjin/marrëveshjen. Në ligj, gjegjësisht marrëveshjen mes presidentëve është përmendur mundësia e korrektimit, andaj kurdo që krijohen kushtet ne do të jemi të gatshëm. Ndërsa për afatet kohore nuk kam çka të shtoj pasi që është më shumë çështje diplomatike dhe nuk varet nga komisioni por nga institucione tjera”, tha Bulliqi.
Bulliqi tregoi se me palën malazeze deri më tani nuk kanë zhvilluar asnjë takim direkt.
Për sa i përket korrektimit të vijës kufitare, Bulliqi tha se beson se do të ndodhë kurdo që plotësohen afatet juridike-diplomatike sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Gjithashtu, sapo të na udhëzojnë institucionet tona përkatëse ne do të jemi të gatshëm të vazhdojmë punën tonë sipas mandatit që e kemi”, përfundoi Bulliqi.
Kujtojmë se sipas kësaj marrëveshjeje, Komisionet për Kufirin Shtetëror midis Malit të Zi dhe Kosovës pritet të formojnë një trup punues të përbashkët që do të jetë përgjegjës për të kryer shënimin e kufirit shtetëror mes të dyja shteteve.