Janë duke vazhduar pritjet e gjata nëpër kufijtë e Kosovës me Serbinë, shkruan Llapi.info.
Pas përfundimit të pushimeve, të gjithë mërgimtarët që ia kanë mësyrë vendeve evropiane ku ata jetojnë e veprojnë janë duke pritur me orë të tëra në Merdare, në dalje të Kosovës.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njofton se kolona të gjata deri në një kilometër e gjysmë janë shkaktuar në dalje të Merdares, ndërsa pritjet janë deri në 6 orë.
Në pamjet të cilët i kanë dërguar lexues të Llapi.info, shihen kolonat në këtë pikë kufitare që s’i dihet fundi.
Për dallim nga kjo pikë kufitare, Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikat tjera s’ka kolona dhe pritje të gjata.
Ndryshe, mërgimtarët vazhdimisht ballafaqohen me vonesa të shumta në kufi me Serbinë.
Ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, dje ka vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.
Sipas njoftimit për media, ministri Mustafa ua ka hedhur fajin palës serbe për krijimin e kolonave në këtë pikë.
“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, pati thënë Mustafa./Llapi.info