Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në Peran të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë ka humbur jetën një i ri, raporton Llapi.info.

Burimet e portalit bëjnë të ditur se dyshohet se babai e ka vrarë djalin pas mosmarrëveshjeve për pronë.

Dorasi

I vrarë ka mbetur E. Ismajli ndaj të cilit dyshohet se me armë zjarri ka shtënë babai i tij, N. Ismajli, ky i fundit tashmë i arrestuar nga organet e rendit.

Viktima

Llapi.info mëson se problemet mes tyre kishin nisur qysh kohë më parë.

Madje, zyrtarë policorë kanë konfirmuar se shumë raste janë hapur në polici për konfliktin mes babait dhe djalit për një kontest pronësor.

Para një jave dyshohet se mes tyre kishte pasur po ashtu konflikt fizik për të njëjtën tokë, për çka ishte hapur edhe rast në polici.

Lajmin për vrasjen e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ndaj kësaj ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Rasti i vrasjes në Peran të Podujevës na ka tronditur të gjithëve.Duke u lutur që të jetë i fundit ky rast i vrasjes, ngushëllime familjes dhe miqve!”, ka shkruar Bulliqi./Llapi.info

Pamje nga vendi i ngjarjes