Zjarrvëniet nëpër zona të ndryshme malore në Komunën e Podujevës janë duke vazhduar. Së fundmi raste të tilla ka pasur në fshatrat Batllavë, Kalaticë e Tërrnavicë të kësaj Komune, raporton Llapi.info
Në bazë të disa pamjeve të siguruara nga Llapi.info shihet tymi dhe flaka e madhe nga djegia e zonave malore në fshatin Tërrnavicë të Podujevës.
Në këtë vend vetëm sot janë djegur rreth 30 hektarë fusha malore. Zjarri është lokalizuar tek në orët e mbrëmjes ku është dashur edhe intervenimi i Agjencisë së Pylltarisë.
Zjarret e shumta që po shkaktohen nuk po djegin vetëm drunjtë dhe bimët e tjera, por edhe botën shtazore.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre në natyrë.
“Zjarrvënia është vepër penale, Policia e Kosovës do të hetojë të gjitha këto rastet dhe ndaj kryerësve të këtyre veprave kundërligjore do të ndërmarrë masa dhe të gjitha lëndët do të procedohen tek organet e drejtësisë”, thuhet në apelin e PK-së./Llapi.info