Për vetëm dy ditë, mbi 300 qytetarë janë vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kundër COVID-19, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë një postim në Facebook, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë Komunë, Driton Veliu, derisa ka bërë thirrje tek qytetarët që të aplikojnë për t’u vaksinuar.
“Vaksinimi i qytetarëve të Podujevës (gjyshërve tanë) kundër virusit Covid-19 në QKMF-në e Podujevës po vazhdon madje me një ritëm të kënaqshëm. Ju njoftojmë se, vetëm dje dhe sot Qendra e vaksinimit në Podujevë ka arritur ti vaksinoj mbi 300 qytetarë. Ftohen të gjithë qytetarët e interesuar për vaksinim por që janë mbi moshën 65 vjeçare që të lajmërohen (ose ti lajmëroni prindërit dhe gjyshërit tuaj të kësaj moshe) në “Qendrën e Vaksinimit për Regjistrim dhe Termin-Vaksinim” në Podujevë”, ka shkruar ai.
Më tej, Veliu ka shtuar se gjatë ditëve në vijim do të rriten ekipet e vaksinimit, në mënyrë që, siç ka potencuar ai, të evitohen pritjet.
Ndryshe, përgjatë dy ditëve të fundit, në Komunën e Podujevës nuk është raportuar asnjë rast pozitiv me COVID-19./Llapi.info