Foto: Eglant Haxho

Numri një në portën e Llapit, Eglant Haxho ka marrë vendim të largohet nga Podujeva, ani pse një javë më parë nënshkroi kontratën e re, njofton Llapi.info

Vazhdimin e kontratës edhe për një vit ishte bërë e ditur nga faqja zyrtare e klubit llapjan, ndërsa tani vetë Haxho nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur largimin e tij.

“Portieri Eglant Haxho vazhdon kontratën me Llapin. Portieri i skuadrës, Eglant Haxho ka vazhduar kontratën edhe për 1 vit me Llapin. Haxho i cili ka pasur paraqitje tejet të mira në stinorin e fundit do vazhdoj ti jap skuadrës sigurinë në portë edhe për një vit. Eglant Haxho në stinorin 2018/19 ka pasur 17 paraqitje, duke mbajtur portën e pa prekur 8 herë”, thuhet në njoftimin e klubit llapjan”, pati njoftuar klubi.

Mirëpo, këto i ka hedhur poshtë Haxho, duke shtuar se kishte vetëm marrëveshje verbale, por jo edhe në firmosje. Duke treguar për largimin e tij, i ardhuri nga Shqipëria edicionin e kaluar, Haxho ka falënderuar kryesinë e klubit, bashkëlojtarët dhe tifozët llapjanë.

“Ju njoftoj nepermjet ketij postimi se prej dites se sotme nuk do jem me pjese e LLAPI-T, edhe pse kishim nje marrveshje verbale, ajo nuk u dakordua deri ne fund tek firma ne kontrate,pas pritjes nga ana ime per te pasur kontraten te detajuar, gje e cila nuk erdhi ne adresen time e ndjeva te domosdoshme te beja kete njoftim, dhe pse i veshtire. Falenderoj perzemersisht tifogrupin “Legjendat”, tifozet llapjan qe na kane mbeshtetur, gjithashtu dhe gjithe bashklojtaret per perkrahjen gjate ketij viti. Gjithashtu faleminderit drejtuesve, zyrtareve te klubit dhe gjithe shtabit teknik per bashkpunimin”, ka shkruar në Facebook Haxho.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Llapit i largohen futbollistët për të cilët ishte bërë zyrtare qëndrimi në klubin nga Podujeva./Llapi.info