Një ngjarje e rëndë i ndodhi familjes Uka nga Mitrovica, më 14 maj, kur morën lajmin për vdekjen tragjike të familjarit të tyre, Behxhetit, i cili u gjet pa shenja jete në depon e biznesit të tij në Dobërllukë të Vushtrrisë. Biznesmeni 54-vjeçar vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila e shtyu që të izolohej tërësisht nga kontakti me njerëz dhe si pasojë pasi ra në depresion vendosi t’i jap fund jetës së tij.

Burimet të afërta me familjen kanë bërë të ditur për Sinjalin se para vetëvrasjes, biznesmeni nga Mitrovica shkroi një letër lamturmirëse për familjen e tij, e në veçanti për vëllezërit, ku ka shkruar fjalë prekëse për sëmundjen prej të cilës vuante dhe ua ka lënë ‘amanet’ disa punë që duhet kryer. Sinjali e ka parë këtë letër, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do ta publikojë të plotë.

Në letrën që e la viktima para se të kryej aktin tragjik, në mes të tjerash ka shkruar për sëmundjen e rëndë që e kishte kapluar tash e një kohë dhe e e cila po i shkaktonte lodhje e mërzi në vazhdimësi.

Përveç për sëmundjen, që dyshohet se u bë shkak që ai t’i jap fund jetës, në letrën e lënë për vëllezërit, Behxhet Uka ka shkruar edhe për punët që ka lënë pa kryer. 54-vjeçari, në letrën e tij ua ka lënë si porosi vëllezërve që t’i kryejnë disa pagesa për obligimet e tij rreth punës, si dhe i ka njoftuar se kush janë personat që i kanë mbetur borxh për marrëveshjet që kishte lidhur me ta.

Në një pjesë të letrës të cilën e ka parë Sinjali, Uka iu ka drejtuar vëllezërve edhe me disa fjalë mjaft të dhimbshme, duke ua shprehur dashurinë e madhe që kishte për ta dhe falënderimin për kujdesin dhe gjithçka që kanë bërë për të deri në ato momente, që nuk do të mund t’ua shpaguante asnjëherë në jetë.

news image
Në vendin ku Uka kishte zgjedhur që të kryej aktin tragjik, depon e biznesit të tij, u gjet letra, revolja, një karikator, 10 fishekë dhe një gëzhojë. Nga ekzaminimi i trupit të tij është identifikuar një vrimë hyrëse në kokën e tij, që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit, e cila u gjet ne prehrin e tij.

Prokuroria e ka cilësuar këtë rast si vdekje të dyshimtë, ndërkohë që janë duke u zhvilluar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.