Sot gjatë ditës pritet që të votohet për presidentin e ri të Kosovës, pasi që kanë mbetur tashmë edhe tre ditë kur përfundon afati për votimin e një personi në karrigen më të rëndësishme të shtetit. Vetëvendosje që ka mbledhur tashmë nënshkrimet e 40 deputetëve për seancë të re, pritet që para se të thirret e njëjta ta votojë edhe për ndryshimin e ligjit për zgjedhje, merr vesh Gazeta Express.
Njëri nga premtimet kryesore të dyshes fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte ai për ndryshimin e ligjit për zgjedhje.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kishin thënë se posa të merrnin pushtetin, do të siguroheshin që të bëheshin ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.
E një gjë e tillë pritet të ndodhë sot gjatë ditës, e madje para seancës që pritet të thirret për votimin e Vjosa Osmanit presidente.
Express merr vesh se Vetëvendosje e ka inicuar një projektligj për amendamentimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur për një seancë të re, e deri më tani ende nuk është saktësuar ora e saktë kur do të thirret e njëjta.
Një seancë e Kuvendit është mbajtur sot me fillim nga ora 10:00, ku është bërë betimi i deputetëve të rinj, e ka pasur edhe debat në mes të pozitës dhe opozitës.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje në lidhje me votimin e mërgatës sonë në ambasada dhe konsullata”, kishte qenë një nga premtimet kryesore të LVV-së dhe Listës “GUXO”.