Mundësia që në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të hidhet edhe çështja e shkëmbimit të territoreve, nga individë të ndryshëm po shihet si opsion me rrezikshmëri të lartë.

Ka tash e një kohë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër intervista dhe konferenca të ndryshme ka paralajmëruar se në Bruksel do të paraqitet edhe kërkesa e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, nga ekspertë të çështjeve të sigurisë po cilësohet se opsione të tilla janë të rrezikshme për integritetin territorial të Kosovës.

Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë ka thënë për lajmi.net se epilogu i një shkëmbimi të territoreve do të ishte shumë i rrezikshëm për Kosovën.

Sipas tij, idetë për ndarje dhe shkëmbim, janë të qarqeve akademike serbe.

“Çdo qitje në pazar të territorit të Kosovës, sepse kur hyjmë në pazare me korrigjime e këmbime, do të ishte tepër e rrezikshme për epilogun e atij pazari dhe i rrezikshëm për vetë Kosovën. Unë mendoj që këto deklarata janë jo serioze dhe se nuk janë ide të shqiptarëve. Këto janë ide të qarqeve akademike serbe, për t’i ndarë në vija etnike dhe për ta ndryshuar tërësinë territoriale të Kosovës me të cilën është shpallë pavarësia e Kosovës me pakon e Aahtirsarit, dhe e njëjta është vërtetuar me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, ide të tilla shkojnë në favor të shfuqizimit të pavarësisë së Kosovës.

Edhe Ramadan Qehaja, po ashtu ekspert i çështjeve të sigurisë, për lajmi.net ka dhënë arsyet se pse një opsion i tillë nuk është i favorshëm për Kosovën.

Ai e ka konsideruar veriun e vendit si një territor me rëndësi të veçantë për Kosovën, duke përmendur pasuritë nëntokësore të këtij regjioni.

Tutje, Qehaja tha për lajmi.net se çështje tjetër e rëndësishme është edhe relievi i pjesës veriore, i cili i siguron Kosovës pozicionim strategjik shumë më të favorshëm për mbrojtjen e kufinjve të saj.

“Veriu i Kosovës për Kosovën ka një rëndësi të veçantë. Së pari ky territor diku afër 15 për qind, është i pasur me xehe nëntokësore. Çështja tjetër është pasuria ujore për të cilat nuk duhet të hyhet më tutje, ngase vetëm Ujmanin e kemi 75 për qind tonin, dhe edhe tani e shfrytëzojmë Ujmanin edhe për shumë çështje të tjera. Mandej është infrastruktura industriale, e cila edhe pse e vjetruar mund të përdorët për përpunimin e xeheve. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, duhet të kujtojmë se ky territor me relievin e tij, ka një topografi shumë interesante, dhe në kufirin e tanishëm ne jemi të favorizuar në kuptimin e mbrojtjes së drejtimeve të cilat janë të kanalizuara në drejtim të thellësisë së territorit të Kosovës, pra me forca më të vogla mund të kontrollojmë drejtimet, sesa të ishte kufiri në urën e Ibrit në Mitrovicë”, është shprehur Qehaja.

Qehaja po ashtu paralajmëron se ndryshimi i kufijve në regjion mund të sjellë shumë pasiguri në Ballkan, duke përfshirë edhe përdorimin e forcës.

Në fund, ai tha se KFOR-i dhe akterët e tjerë të sigurisë në Kosovë duhet të jenë të gatshëm për të intervenuar në çdo rast të eskalimit të situatës.

E presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdimisht e ka përsëritur se bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën nuk do të thotë ndarje ose shkëmbim territoresh, por vetëm korrigjim i kufinjve.

Këto deklarata të tij kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion si dhe tek vetë spektri politik