Propozimi që gjatë ditëve të diela të mos punojnë bizneset në Prishtinë ka shkaktuar reagime të shumta, ende pa arritur në Kuvendin Komunal.
Ky propozim, i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet që të shkojë në Kuvendin Komunal në mbledhjen e ardhshme ku edhe do të diskutohet se a do të mbyllën të gjitha bizneset apo vetëm një pjesë e tyre.
Mirëpo, ende pa shkuar në Kuvend, kundër këtij propozimi kanë dalë Oda Amerikane, Oda Ekonomike e Kosovës dhe disa biznese në vend, madje skeptik për këtë janë edhe një pjesë e opozitës në komunë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se një vendim i tillë do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.
Sipas tyre kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithëmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.
Edhe Oda Ekonomike e Kosovës thotë se një vendim i tillë do të ishte i dëmshëm për bizneset dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Ndërsa, Eman Rrahamni asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net se kanë kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të kuvendit Komunal të diskutohet për këtë çështje.
Ai ka thënë se janë duke e pritur një draft nga komuna e Prishtinës, për të parë se cilat biznese duhet të mbyllen gjatë të dielave dhe cilat të punojnë.
“Ky ka qenë propozim i yni në asamblenë komunale që të rishikohet rregullorja që rregullon edhe orarin e punës në Prishtinë. Kemi kërkuar që mbledhjen e ardhshme me pru në Kuvend Komunal. Mandej me vendos cilat biznese duhet të punojnë të dielave e cilat jo, por edhe ditëve tjera, oraret të rishikohen edhe qysh të punohet. Në parim ne kemi qenë iniciues të kësaj rregullore. Ne e kemi obliguar komunën që brenda muajit të zhvillojë diskutime publike me qytetarët edhe që të marrin kërkesat e tyre dhe të shohim pak a shumë cilat janë mundësit, që cilat biznese duhet dhe nuk duhet të punojnë. Nuk kemi marrë ndonjë vendim diçka, mirëpo me pa qysh është mundësia më e mirë për më zgjedhë këtë problem për shkak që disa biznese mendoj që duhet të mos punojë të dielave dhe disa biznese gjatë ditëve tjera që të mos punojnë p.sh deri në 23:00 ose 24:00”, ka thënë Rrahmani.
Mirëpo skeptik për këtë propozim të Vetëvendosjes, po del të jenë asamblistët e LDK-së.
Agim Gashi, asamblist i LDK-së në komunë ka thënë se janë në dilemë rreth kësaj çështje pasi nuk e kanë analizuar ende, derisa shton nuk mund që t’u ndalohet veprimtaria të gjitha bizneseve.
“Ne kemi dilema rreth kësaj, sepse përpos që ka njëfarë karakteri social janë shumë biznese që mund të ndalohen, kemi një farë rezerve për momentin sepse nuk e kemi analizuar të gjithën. Nuk e kemi analizuar hollësisht, mirëpo po them që nuk mundet që të ndalohen të gjitha bizneset, sepse ka biznese që duhet të punojnë siç janë: barnatoret, furrat e bukës, disa markete, sepse nuk mundet që qytetarët të mos kenë ku të blejnë gjera elementare. Ose do të mund të kombinohet një orar i shkurtuar i punës për shumë biznese të cilat ofrojnë shërbime të domosdoshme dhe të diskutohet cilat janë ato me prioritet, por jo që të behët një vendim brutal, ku çdo gjë pavarësisht, çka ofron dhe me pas ndalesën e punës, ajo e dëmton jo vetëm biznesin por edhe interesat e tjerëve që kanë nevojë për furnizim”, ka thënë Gashi.
Ndërsa, Drejtori i “Viva Fresh Store”, Liridon Berisha, ka thënë për lajmi.net se nëse një vendim i tillë hyn në fuqi ata do të detyrohen që të reduktojnë stafin, pasi siç thotë ai kjo kompani ka staf shtesë që punon të dielave.
Ai thotë se një vendim i tillë është i banalizuar dhe i pamenduar mirë, derisa shton se qeveria dhe komunat duhet që të sigurohen që të zbatohet ligji i punës dhe jo të mbyllet sektori privat ose bizneset ku njerëzit do të humbnin vendin e punës.
“Puna e këtij vendimi është pak i banalizuar dhe i pamenduar mirë nga ana e komunës apo çoftë nga ana e Qeverisë nëse është bërë për të gjitha komunat. Sepse nuk është bërë një analizë për me pa se ku është problemi real dhe arsyeja se pse duan që t’i mbyllin bizneset, kur e din që sektori privat është kyç për të shpejtuar ekonominë edhe për ta rritur zhvillimin ekonomik në vend. Qeveria por edhe komunat duhet që të sigurohen që të zbatohet ligji i punës, ata duhet që të sigurohen që kjo të implementohet dhe jo të mbyllet sektori privat, ose të mbyllën bizneset ku njerëzit humbin vendin e punës. P.sh për neve si biznes munde me pas impakt të vogël në shitje, por mundet me pas impakt shumë të madh në kosot, ne mundemi me i zvogëlo kostot, se realisht ne i kemi dy ditë pushim për secilin punëtor që punon në dyqan. Dhe në momentin që e diela behët pushim atëherë neve na bie që të kemi punëtor tepër dhe duhet që të redaktojmë numrin e punëtorëve po ashtu reduktohen disa kosto”, ka thënë ai.
Ai thotë se kjo është e dëmshme fillimisht për vendin, për shkak të papunësisë dhe zhvillimit ekonomik, pasi siç thotë ai, 30 për qind e shitjeve janë prodhime vendore.
“Mirëpo më e keqja është që zvogëlohet konsmuni. Përderisa as Shqipëria as Maqedonia pra vendet e rajonit nuk e kanë bo një gjë të tillë, ne krejt çka kemi më bo është se kemi me i favorizuar këto vende fqinje për shkak të afërsisë së tyre, që njerëzit me shku edhe me harxhu mjete atje. Ne si biznes mendojmë se është shumë e dëmshme për Kosovën, për shkak të papunësisë, për shkak të zhvillimit ekonomik mos të harrojmë se në marketet tona diku 30 për qind të shitjeve janë prodhime vendore, nëse shkon në Shkup pra nuk janë këto prodhime”, ka thënë tutje ai.
Por, dikujt nga bizneset po i pëlqen ky vendim. Biznesmeni dhe pronari i rrjeteve të “ETC”-së në Kosovës, Ramiz Kelmendi, duke folur për lajmi.net thotë se e mirëpret një vendim të tillë.
“Të gjitha vendimet që vijën duhet të respektohen, mendojë që është vendim i mirë që të dielave të mos punojë asgjë. Unë e mbështesë, por mendoj se është mirë që të mblidhet bashkësia e komunave dhe vendimi të jetë unik në tërë Kosovën dhe jo të jetë patriotik, individual nëpër qytete dhe me qenë i drejtuar mirë, në mënyrë që të mbështetën kërkesat e qytetarëve. Po të kishin funksionuar mirë ndoshta ligjet ekzistuese nuk kishte pas nevojë që të vinte deri të kjo, por pa marrë parasysh kjo ndikon në ngritjen e përformancës familjare. Pra prindërit tash kanë mundësi se paku të dielën ta kalojnë më fëmijët e tyre dhe të kontribuojnë në arsimimin apo edukimin e mëtutjeshëm të tyre”, ka thënë Kelmendi.