Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë ka vite që kanë filluar. Që nga nisja e tyre u përcollën me ankesa për zvarritje e ngecje të shumta. Por, as pas afro tre vjetëve punimet nuk kanë përfunduar, shkruan Llapi.info
Kjo rrugë e cila lidhet edhe me pikën kufitare në Merdare, është njëra ndër më të frekuentuara në Kosovë, kjo ka bërë që të mos mungojnë edhe aksidentet e shumta. E rreziku për aksidente u shtua edhe më shumë nga punimet në segmentet e kësaj rruge. Gjithë kjo, nga bllokadat dhe barrierat e vendosura për zgjerimin e magjistrales.
Se që këto punime janë zhvilluar me ritme të ngadalta, e ka thënë për Llapi.info kohë më parë edhe Rexhep Kadriu, zëvendësministri i Infrastrukturës.
Në këtë rrugë deri më tani kanë përfunduar me asfaltim vetëm pesë llote. Por, probleme ka pasur edhe me shpronësime. Se a janë bërë shpronësimet deri më tani, Llapi.info ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, por nga kjo ministri nuk janë dhënë detaje për këtë dhe çështje tjera sa i përket kësaj magjistraleje.
E për zvarritjen e punimeve, debat i gjatë u zhvillua edhe në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvendin Komunal të Podujevës. Pas gjithë diskutimeve, në këtë seancë u dakordua që projekti i kësaj rruge t’i dorëzohet Komunës nga Ministria e Infrastrukturës, e që ky projekt t’iu dorëzohet edhe grupeve parlamentare. Por, a është dorëzuar ky projekt nuk janë kthyer përgjigje as nga Komuna e Podujevës.
Por qytetarët nuk e kanë ndërmend më të rrinë duarkryq.
Për zvarritjen e punimeve në Kuvendin Komunal është mbajtur edhe seancë e jashtëzakonshme, e thirrur nga këshilltari i PDK-së, Arbër Blaku. Në debat u tha se mungojnë vend-ndaljet për autobusë e po ashtu edhe shiriti ndihmës. Ky i fundit për Llapi.info ka thënë se ritmi i ngadaltë i punimeve ndikon në jetën e qytetarëve. Sipas tij, duhet të bëhet presion në Ministrinë e Infrastrukturës.
“Zvarritja e punëve në rrugën Podujevë-Prishtinë në çdo aspekt ndikon në jetën e qytetarëve të Podujevës, dhe dëmet si në aspektin material ashtu edhe kohorë janë shumë të mëdha. Zyrtarët komunalë të Podujevës janë marrë njëherë me këtë problem dhe e kanë lanë, sikur e shohin që e kanë krye një obligim dhe më nuk merren me këtë punë, andaj unë mendoj që duhet të bëhet presion sa më shumë në MI në çdo formë që të arrihet qëllimi”, ka thënë Blaku.
“Ne si këshilltarë të PDK- së në Kuvendin Komunal të Podujevës, do i shikojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe institucionale që mos të vij deri te protestat dhe bllokimet e rrugëve, por nëse shohim një injorim nga MI atëherë jemi te detyruar të marrim edhe hapat më ekstrem, që ky problem dhe këto zvarritje të eliminohen dhe të përfundoj rruga”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Lirika Maliqi, ka akuzuar Komunën e Podujevës, për siç e quan ajo, mos ushtrimin e presionit ndaj Ministrisë.
“Nga këto zvarritje që po bëhen, ata të cilët po pësojnë janë qytetarët e Komunës së Podujevës dhe jo vetëm. Duke e pasur parasysh që kjo rrugë shkon drejt Merdarit, mund të konstatojmë lirisht që është një prej rrugëve nëpër të cilën çdo mërgimtar duhet të kalojë dhe kjo e bënë ende më të vështirë qarkullimin e veturave, për shkak se po i afrohemi sezones se mërgimtarëve dhe kjo do të jetë një vështirësi edhe për ta. Një pjesë jo të vogël të fajit e ka edhe Komuna e Podujevës për mos ushtrimin e presionit ndaj ministrisë, por me sa duket kryetari dhe ministri po i bëjnë favore njeri-tjetrit ne çështje të caktuara. Prandaj edhe kryetari po e lë të qetë ministrin”, ka thënë Maliqi.
Maliqi ka theksuar se nëse vazhdohet me zvarritjen e punimeve, protestat do të jenë të pashmangshme.
“Ne si LVV kemi realizuar një aksion për sa i përket këtij problemi, ku e ka ngjallur sado pak punën ne këtë rrugë. Mirëpo, siç po shihet zvarritjet janë rikthyer përsëri. Nëse vazhdon ende tradita e njëjtë e zvarritjeve në këtë rrugë, ne paralajmërojmë protestë dhe këmbëngulje deri në realizimin e qëllimit”, është shprehur tutje Maliqi.
Ndërkaq, të vetmin reagim kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu e ka bërë muaj më parë në një status në rrjetin social Facebook, duke thënë se Projektligjin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, vërehet qartë diskriminimi i skajshëm që i bëhet Komunës së Podujevës nga qeverisja aktuale e vendit.
“Për njërin nga projektet më vitale të komunës tonë, që është zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë – Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar vetëm 2 milionë euro, para të cilat nuk mjaftojnë as për mbulimin e pagesave të punëve që janë kryer në dy llotet e para”, ka shkruar ai ndër të tjerash.
Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë pati protestuar për shkak të ngecjeve të punimeve në këtë pjesë, ku është kërkuar intensifikimi i punimeve. /Llapi.info