Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) i është drejtuar Zyrës së Presidentit të Kosovës me një shkresë përmes së cilës kërkon të evitohen shkeljet e bëra në tenderin “Furnizim me kuti dhe fasikulla për medalje”.

Në shkresën që shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i ka dërguar më 03.05.2018, Hilmi Gashit – menaxher i Zyrës së Prokurimit të Presidentit, është kërkuar që të evitohen shkeljet e evidentuara në lidhje me tenderin me titull “Furnizim me kuti dhe fasikulla për medalje” në mënyrë që të respektohen dispozitat përkatëse të Ligjit për Prokurimin Publik, shkruan Telegrafi.

Në analizën e dosjes së këtij tenderi dhe krahasimit me njoftimin për kontratë, e cila është përgatitur nga ana e autoritetit kontraktues, AKK ka vërejtur se nënkriteret për dhënie të të kontratës me njëra tjetrën nuk janë identike më saktësisht në lidhje me nën kriterin nr. 2, ku në njoftimin për kontratë është specifikuar “Model më i mirë”, ndërsa në dosjen e tenderit, saktësisht në Aneksin 6, te nënkriteri nr. 2, është specifikuar “Vlerësim i kualitetit të kutisë dhe fasikullës pamja si model”.

Në tenderin e shpallur për aktivitetin e prokurimit me procedurë të hapur, në vlerë prej 42 mijë e 300 euro, AKK ka gjetur parregullsi.

Andaj AKK konsideron se një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 27. Paragrafi 4 i Ligjit të Prokurimit Publik, ku thuhet “Kërkesat e përcaktuara në Dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë duhet të jenë identike”.
AKK ka kërkuar nga Zyra e Prokurimit të Presidencës që të evitohen shkeljet dhe t’i njoftojë të gjithë operatorët ekonomikë të cilët janë tërhequr nga dosja e tenderit.