Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se anëtarët e këtij Komisioni kanë diskutuar me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në lidhje me largimin e personelit shëndetësor nga Kosova, si dhe rreth kërkesave për infermierë shtesë nëpër spitale.
“Në mandatin e kaluar kemi pasur kërkesa prej QKUK-së për infermierë shtesë. Në këtë vit është ndarë një shumë e mjeteve pikërisht për infermierë dhe për mjekë specialistë. Nuk e di se sa janë punësuar, nuk e kemi diskutuar në takimin e fundit me ministrin. E kemi diskutuar në përgjithësi ikjen e personelit shëndetësor, qoftë të infermierëve, të mjekëve dhe të gjithëve”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pas disa viteve Kosova do të ballafaqohet me mungesë të mjekëve.
“Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Ne një ditë do të kemi mungesë edhe të mjekëve, edhe të specialistëve sepse nuk kemi politika të Ministrisë së Shëndetësisë afatgjate që e bën një planifikim sa i përket specialistëve, sepse mosha mesatare e tyre në Kosovë është e vjetër dhe pas 5 ose 10 vjetësh do të ballafaqohemi edhe me mungesën e tyre”, ka thënë ajo për “Zërin”.