Një burrë nga Hong Kongu është ri-infektuar me COVID-19 pas katër muajsh e gjysmë kur kishte rezultuar pozitiv herën e parë, por që ishte shëruar plotësisht.

33-vjeçari ishte shëruar dhe ishte lëshuar nga spitali në prill, por rezultoi pozitiv sërish pasi u kthye nga Spanja më 15 gusht.

Ai ka marrë një lloj tjetër të koronavirusit prej atij që kishte herën e parë dhe nuk ka shfaqur simptoma herën e dytë, thuhet në studimin e Universitetit të Hong Kongut.

“Kjo nuk do të thotë se vaksina do të jetë e padobishme”, ka thënë doktori Kai-Wang To për Reuters.

Epidemiologia Maria Van Kerkhove nga Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë të hënën se nuk mund të dalin në konkluzione për rastin që ishte shënuar në Hong Kong.

Është raportuar edhe më herët për ri-infektime në Kinë, por për këto raste nuk ka qenë e qartë nëse janë infektuar sërish pasi ishin shëruar apo nëse virusi ishte ende në trupin e tyre nga hera e parë, transmeton KOHA.

Në botë deri tash janë regjistruar 23,464,660 raste pozitive, derisa kanë vdekur 809,591 persona.