Ndërtimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Penuhë të Podujevës kishte mbetur në gjysmë për shtatë vite. Kjo pasi, kompania “Mabetex” para shtatë vitesh kishte kryer punën e saj në këtë Kompleks, por Komuna e Podujevës dhe Qeveria e Kosovës nuk e kishin pranuar pranim-dorëzimin e këtij memoriali. Ndërsa, puna në këtë Kompleks ka filluar tani, pas shtatë vitesh, kur ky i fundit i është dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK).

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), Adnan Elshani, ka thënë për Llapi.info se puna në këtë Kompleks ka filluar në momentin kur Kompleksi i është dorëzuar AMKMK-së, si dhe kur Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 50.000€. Ndërsa, vet AMKMK-ja ka ndarë 260.000€.

“Kompleksi Memorial ‘Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së’ në Penuhë të Podujevës, ka kaluar në pronësi të AMKMK-së. Siç dihet fillimisht Qeveria ka ndarë 50,000€ vlerë kjo e cila as për së afërmi nuk i plotësonte kërkesat për ta përfunduar këtë Kompleks Memorial. Pastaj AMKMK ka siguruar një shumë të mjeteve në vlerën prej 260,000€ nga projektet tjera me qëllim të kryerjes së punimeve dhe funksionalizimit të këtij Kompleksi”, ka thënë Elshani.

Ai ka bërë të ditur se punëkryesi fillimisht ka bërë pastrimin e terrenit nga bimët e ndryshme, bari dhe nga mbetjet e tjera, dhe në fund ka sjell dheun cilësor.

Elshani ka treguar se për të kryer të gjitha punët në këtë Kompleks dhe që ky i fundit të funskionalizohet duhet edhe mjete tjera, që sipas tij, agjencia e cila ai udhëheq nuk i ka.

Por, për një gjë të tillë, ai ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave që të ndajë një shumë prej 75.000€ për të vazhduar me punimet, kërkesë kjo e cila është aprovuar.

“Kemi kërkuar nga Ministria e Financave që të na mundësojë transferim të mjeteve në vlerën prej 75,000€ nga një projekt tjetër kapital. Kërkesa na është aprovuar nga Ministria e Financave. Ne kemi proceduar me punët për të cilat i kemi kërkuar këto mjete dhe besoj se për vitin që vije ka nevojë të kemi mjete vetëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e Kompleksit”, ka thënë Elshani për Llapi.info.

Ai ka shtuar se tani është e rëndësishme që Ministria e Financave të ndaj mjete më shumë për AMKMK-në, sidomos Linjën për Paga dhe Mëditje ,për punësimin e rojeve dhe cicëronëve, dhe se tani punët janë në përfundim e sipër. Priten të kryhen vetëm meremtimet e dëmtimeve që janë bërë kohë më parë.

Ndërsa, gazeta “Koha Ditore” ditë më parë kishte raportuar për këtë çështje, ku kishte treguar edhe historikun e marrëveshjes së këtij Kompleksi.

Sipas raportimit të Koha Ditores në maj të vitit 2010, zyrtarët e “Mabetex grup” i kishin thënë gazetës se zyrtarët e Komunës së Podujevës nuk i janë përmbajtur Memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2007.

Drejtori i Mabetex Project Engineering, Islam Pacolli, kishte thënë se komunarët nuk i kanë respektuar obligimet e parapara dhe të nënshkruara në memorandumin e mirëkuptimit të datës 20.07.2007 të nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i Komunës – Agim Kika, komandanti i Zonës V të TMK-së – Shaipi Haziri dhe Islam Pacolli (Mabetex).

Në nenin 5 të këtij memorandumi thuhej se obligimet e Komunës së Podujevës janë që të lëshojë një dokument zyrtar kompanisë “Mabetex Group” për lirimin nga obligimet doganore për të gjitha materialet e importuara për rregullimin e Kompleksit memorial të dëshmorëve të UÇK-së për ZOLL, dhe sigurimin, gjelbërimin, instalimin e ujitjes dhe mirëmbajtjen e përgjithshme të hapësirës brenda Kompleksit memorial të dëshmorëve.

Më 26.11.2008, Behgjet Pacolli u kishte shkruar letra presidentit të asaj kohe, Fatmir Sejdiut dhe ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, ku kërkonte nga ta që të përdorin autoritetin e tyre që ky Kompleks të pranohet nga organi përkatës.

Por, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kishte thënë se ata vetëm e kanë ndarë lokacionin për atë Kompleks në bazë të kërkesës që është bërë nga TMK-ja dhe se ata nuk kanë pasur qasje më në atë projekt dhe se nuk dinë si kanë shkuar punët më tutje. Ndërsa sa i përket memorandumit, Veliu thotë se nuk është i njoftuar për të.

“Unë nuk e kam parë atë memorandum, por nëse ka diçka të tillë, atëherë ne do të shohim projektin se në çfarë gjendje është dhe nëse Qeveria e Kosovës ka gatishmëri për të ndarë ndonjë fond për mirëmbajtjen e tij, sigurisht se do ta marrim përsipër”, ishte shprehur ai për Koha Ditore./Llapi.info