Më në fund janë kryer punimet sa i përket asfaltit në rrugën e Xhamisë, buzë lumit Llap, njofton Llapi.info.
Në fillim të dhjetorit ishte përfunduar njëra pjesë me asfalt, ndërsa në tjetrën nuk e kanë lejuar banorët dhe pronarët e tokës.
Asfaltimi nuk u krye në tërësi buzë lumit Llap. Krejt kjo, pasi që Komunës së Podujevës dhe Agim Veliut i doli punë me shpronësime, derisa banorët patën ndalë punimet, pasi që siç thoshin (banorët e lagjes së Blakçorëve), Komuna i pati ndërruar fjalët sa i përket shpronësimit.
Rruga ka mbetur në gjysmë për gati një vjet, teksa tani banorët dhe komunarët duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët, ku edhe ka nisur të asfaltohet pjesa tjetër. Kështu ka thënë në një postim në rrjetin social Facebook i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.
“Punimet në asfaltimin e rrugës, në pjesën e qytetit pranë lumit, tek xhamia, po shkojnë drejt finalizimit. Pas përfundimit të asfaltimit do të kompletohet edhe pjesa tjetër e infrastrukturës, përfshirë trotuaret dhe ndriçimin publik”, ka shkruar ai sipër fotografive të publikuara.