Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur të hapë procedurë disiplinore ndaj Llapit për disa gjëra, në mesin e të cilave edhe ofendimet dhe kapja e dorës së gjyqtarit kryesor nga një zyrtar i klubit llapjan, njofton Llapi.info.

Krejt kjo, pasi që në ndeshjen kundër Ballkanit të zhvilluar në Podujevë, sipas Komisionit të Garave i FFK-së, Llapi ka thyer disa rregulla.

Me këtë rast, Komisioni i Garave i FFK-së vendosi të hapë procedurë disiplinore ndaj klubit kosovar në mbledhjen e sotshme, për shkak të ofendimeve ndaj gjyqtarit kryesor si dhe hedhja e fishekzjarrëve dhe shisheve të plastikës në fushë.

“Motivi: Lëshim në organizimin e ndeshjes, ofendim ndaj referëve pas përfundimit të ndeshjes nga ana e Bajram Bejtullahit bartës i barelës dhe reagim nga i njëjti, madje duke e kapur për dore referin kryesor pas përfundimit të pjesës së parë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.

“Ndezje të fishekzjarrëve te hyrja e stadiumit në minutat 51 e 53. Në minutën e 70-të me rastin e ndëshkimit të përfaqësuesit zyrtar Muhamet Rexhepi dhe ndihmëstrajnerit të KF “Llapi”, Burim Zhjeçi nga tribuna perëndimore janë hedhur tri shishe PVC në fushës, sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes”, thuhet tutje.

Llapi ka afat kohor tre ditor për ta kundërshtuar këtë vendim të Komisionit të Garave të FFK-së./Llapi.info