Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, me propozimin e Haradinajt, në qeveri ishte vendosur për rritjen e pagave të shumicës së stafit në kabinetin qeverisë.

Ky vendim ishte cilësuar joligjor nga Agjencia Kundër Korrupsion, duke shtyerë deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo e fundit në vendimin që e ka zyrarizuar sot, nuk ka gjetur shkelje të Kushtetutës në vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave.

Kështu i pari i qeverisë do të mund ta marrë pagën e tij që e kishte rritur në vlerë 2 mijë e 950 euro. Pagë të cilën kryeministrat e kaluar e kishin pasur mbi 1 mijë e 400 euro, shkruan lajmi.net.

Por, Haradinaj ka menduar edhe për vartësit e tij.

Zv/kryeministrat të cilët janë plotë pesë, do të marrin rroga në vlerë 2 mijë e 500 euro. Rritje kjo mbi 90%, pasi të njëtit më herët ishin paguar rreth 1 mijë e 350 euro.

Për paga nuk do të mund të ankohen as ministrat. Me vendimin e qeverisë, ata do të paguhen 2 mijë euro në muaj, nga 1 mijë e 270 sa e kanë pasur.

Vendimi për rritjen e pagave ka prekur edhe këshilltarët. Kështu këshilltari i lartë i kryeministrit do të paguhet 1 mijë e 340 euro, nga 693 sa është paguar. Kurse këshilltari i lartë i një ministri do të paguhet 1 mijë e 50 euro.

Paga do tu rritet edhe asistentëve. Asistenti i lartë i Haradinajt do ta ketë pagën 970 euro, kurse asistenti i lartë i një ministri do të paguhet 600 euro.

Nga rritja e pagave të Haradinajt, do të përfitojnë edhe gjqytarët.

Kryetari i Gjykatës Supreme do të përfitojë gati 3 mijë euro aq sa Haradinaj. Kurse gjyqtarët nga 2 mijë euro sa një ministër.

Të vetmit që e kanë pësuar në këtë vendim të qeverisë janë zv/ministrat.

Mbi 70 zv/ministrat e Kosovës do të paguhen rreth 30 euro më pak sa i kanë marrë me herët. Ata do të paguhen 1 mijë e 150 euro.

Me këtë rritje të pagës, Haradinaj po del të jetë kryeministri me pagën më të madhe në rajon.

Edi Rama ka pagë mujorë 1 mijë e 700 euro, kurse Zoran Zaev 1 mijë e 300.

Edhe më pak se këta paguhet kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq që merr vetëm 1 mijë euro. /Lajmi.net/

Image

Image