Traditë familjare e kishte bujqësinë.

Bekim Vokrri nga fshati Sfeqël i Komunës së Podujevës për vite me radhë jetoi në vende të ndryshme evropiane, atje ku iu shtua pasioni për këtë sektor.

Kjo ishte arsyeja që e shtyu të kthehet në Kosovë e të sjellë përvojën e tij në vend, raporton KOHA.

Të kultivojë perimet si: karotat, specat, lakrat e perimet e tjera, ishte puna e Vokrrit për të cilën edhe e hapi kompaninë e tij.

E kishte synim krijimin e kushteve të nevojshme për të çuar tutje një punë të tillë bujqësore, që siç thotë ai, të shndërrohej në kultivuesin kryesor në nivel vendi.

Si fermer që u kthye nga Evropa, thotë se hasi në vështirësi, por ato iu lehtësuan kur nisi projektin me bashkëfinancim nga Bashkimin Evropian.

Kultivuesi Bekim Vokrri arriti të ngrihet me kompaninë e tij në sajë të projektit “Promovimi i kualitetit të agro-produkteve në Kosovë”, me kultivimin e karotave.

Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian për kompaninë e Vokrrit, ndihmoi edhe në rritjen e sipërfaqes së tokës, nga 20 sa ishte në fillim, në 60 hektarë, teksa ka shtuar edhe numrin e 16 punëtorëve të rregullt.