Debati për dialogun Kosovë -Serbi në Kuvendin e Kosovës, po vlerësohet si pozitiv dhe i nevojshëm për institucionet e Kosovës. Njohësit e çështjeve politike thonë se përfaqësuesit e vendit duhet të kenë kujdes që gjatë bisedimeve të ruajnë integritetin territorial të vendit dhe funksionalitetin e brendshëm të sistemit juridik dhe politik të Kosovës. Ata gjithashtu thonë se Kosovës i duhet konsensus politik për dialog.
Kuvendi i Kosovës të hënën pritet të debatojë platformën e qeverisë për dialog, ani pse përmbajtja e saj ka pasur vërejtje si nga opozita ashtu edhe nga shoqëria civile. Me gjithë këtë, debati nga njohësit e çështjeve politike në vend, po vlerësohet si pozitiv. Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se, pavarësisht nga agjendat partiake, dialogu me Serbinë kalon çdo interes.
“ Çështja e dialogut me Serbinë kalon secilin interes partiak, dhe mbi këtë bazë deshëm apo nuk deshëm, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, të gjitha partitë politike duhet t’i dhënë në dispozicion kapacitetet e tyre, në mënyrë që të merret më e mira e mundshme, sepse tashmë jemi para një faze shumë sensitive dhe e ardhmja e vendit përcaktohet nga ky proces negocimi”tha Hoti
Hoti vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme në këtë fazë, duke përmendur dy pika kyçe.
“E para është qëllimi, i cili në çfarëdo forme qoftë, në mënyrë direkte apo indirekte, të mos dëmtohet apo afektohet çështja e sovranitetit apo integritetit territorial, sepse ka sinjale të qarta dhe qëndrime të qarta nga komuniteti ndërkombëtar se kjo është çështje e padebatueshme dhe e padiskutueshme. Dhe mbi këtë bazë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Pika e dytë mbi të cilën do të duhej të vihej theksi, është ruajtja e funksionalitetit të brendshëm të vendit, në kuptimin që çfarëdo propozimi eventual për minoritetet, qoftë edhe për asociacionin apo struktura të ngjashme, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në mënyrë që as në mënyrë direkte as indireke të mos dëmtohet funksionaliteti i brendshëm i sistemit juridik dhe politik të Kosovës”, thotë Hoti.
Edhe Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, debatin në Kuvend e cilëson si të domosdoshëm, me qëllim që do të flitet se si shihet Kosova në këtë proces dhe cilat janë pritjet nga dialogu. Ajo thotë se edhe KDI ka kërkuar që ky debat të ndodhë, pasi pala kosovare duhet ta ndërtojë konsensusin e brendshëm politik për platformën e dialogut.
‘’Kuvendi duhet të jetë vendi ku epiqendra e bisedimeve për çështjet të cilat lidhen me dialogun, ku partitë politike synojnë të ndërtojnë konsensusin, gjithashtu të artikulojnë strategjinë e shtetit për këto bisedime, të përcaktojnë pritshmëritë e shtetit, ekipin negociues, t’i japin legjitimitet këtij procesi, t’i japin prioritet këtij procesi duke e kaluar edhe një rezolutë ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën’’ka thënë Krasniqi.
Edhe pse zyrtarisht ende nuk dihet se kur pritet të fillojë dialogu, ndonëse flitet për muajin qershor, Bashkimi Evropian kërkon një “marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese” që duhet të mbërrihet nga të dy vendet, pa zbatimin e së cilës nuk mund të ketë as anëtarësim në BE./rtk/