Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë sinjale të qarta se do ta mbështesë zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit në seancën konstituive që do të mbahet më 15 prill.

Pas takimit të zhvilluar sot nga Kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca, me nënkryetarët e partive opozitare, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, deklaroi se partia e tij është e gatshme të votojë kryetarin e ri të Kuvendit.

“Jemi të gatshëm për ta votuar kryetarin e Kuvendit,” tha shkurt Ismaili pas mbledhjes së kryesisë.

Sa i përket mundësisë për një takim me liderin e VV-së, Albin Kurti, për çështjen e qeverisë së re, Ismaili u shpreh se do t’i përgjigjen asaj ftese kur të vijë koha.

Në takimin e sotëm morën pjesë përfaqësues të PDK-së, LDK-së, AAK-së, si dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë, ndërkohë që Lista Serbe mungoi.

Ky qëndrim i PDK-së tregon se procesi i konstituimit të Kuvendit mund të ecë përpara, megjithatë formimi i qeverisë mbetet ende i paqartë dhe i varur nga marrëveshjet e mundshme për koalicion