Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë ka reaguar me anë të një komunikate për media për projektin e ndërtimit të 30 shtëpive për rastet me gjendje të rëndë ekonomike në këtë komunë.
Sipas PDK-së nënshkruesi për vazhdimin e projektit për ndërtimin e tridhjetë shtëpive për familjet e dëshmorëve në “Lagjen e Dëshmorëve” në Balloc të Podujevës, me Ministrinë e Punës së Mirëqenies Sociale, kryetari aktual Agim Veliu e merr si meritë të veten.
“Në fakt konkretizimi dhe vazhdimi i këtij projekti daton më herët, qysh nga qeverisja e kaluar kur PDK e udhëhiqte Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pikërisht në këtë qeverisje nga mandati i kaluar, kemi projektin dhe financimin e ngritjes dhe të ndërtimit të shumë shtëpive për familjet e dëshmoreve, por edhe të atyre në nevojë”, thuhet në komunikatë.
Siç thuhet në komunikatën e PDK-së duke iu referuar kumtesës së Kuvendit Komunal në Podujevë, shihet se kryetari aktual përpiqet që t’i diferencoj familjet e dëshmorëve dhe ato në nevojë për çështje elektorale.
Partia Demokratike e Kosovës dega Podujevë sqaron opinionin publik se përpjekja për të marr meritat e të tjerëve, në këtë rast mundin e PDK-së për ndërtimin e shtëpive për familjet e dëshmorëve, është jo e sinqertë, abuzive dhe në pikë te fundit për qëllime krejtësisht elektorale, të cilat tanimë edhe kryetari aktual e di se zgjedhjet i ka të humbura.