Në seancën e Kuvendit rreth pandemisë PDK-ja ka propozuar ndër të tjerash që emrat e të infektuarve me COVID-19 të bëhen publikë.

Deputeti Bekim Haxhiu, që foli në emër të PDK-së, tha se transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse.

PDK-ja ka propozuar gjashtë rekomandime:

Të autorizohet komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirqenie sociale që në afatin më të shpejtë kohorë të sjellë për votim në Kuvend ligjin anti-covid.

Duke falënderuar për punën e tyre të gjithë stafin shëndetësor që po e bëjnë betejën koronavirusin çdo ditë dhe pa kursyer asgjë, PDK-ja kërkon urgjentisht nga Qeveria e Kosovës që me vendim të veçantë të rritë pagat e profesionistëve shëndetësorë ashtu siç ishte planifikuar me ligjin e pagave duke shtuar edhe rritjen sipas kërkesave të infermierëve dhe mamive. Gjithashtu ky vendim duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët shtetëror që po përballen çdo me betejën me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë të punojë maksimalisht që të punësojë së paku edhe 1500 profesionistë shëndetësorë në nivel të Kosovës me qëllim të përballjes me situatën me pandeminë.

Decentralizim të testimeve dhe të trajtimeve me COVID-19, duke mbështetur komunat në menaxhim të situatës me plan konkret si dhe angazhim të Spitaleve private në menaxhim të situatës duke bërë mobilizim të të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore.

Të licencohet sektori privat për të bërë teste për COVID-19, duke i obliguar që të raportojnë rezultatet në baza ditore në IKSHPK dhe në Ministri të Shëndetësisë.

Autorizohet IKSHPK-ja që të bëjë publike emrat e personave që janë testuar dhe të atyre që kanë rezultuar pozitivë, transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse.

Haxhiu gjithashtu ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe tani Qeverinë Hoti për mos testime të mjaftueshme për COVID-19.