Zyrtarë të partisë opozitare, PDK, kanë thënë se Podujeva ka angazhuar ligjërues në shkolla të mesme pa pasur as diplomë fakulteti.
Nëpërmjet një komunikate shtypi, shefi i GK të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kritikuar Drejtorinë e Arsimit për marifetllëqe, lidhur me punësimin e arsimtarëve joprofesionalë. Ai ka theksuar se gjendja në arsim në këtë komunë është edhe më keq se një vit më herët, shkruan sot Koha Ditore.
“Më 1 shtator nisi viti i ri shkollor edhe në Komunën e Podujevës, por gjendja e arsimit s’ ka ndryshuar as në këtë vit nga vitet e kaluara, me keqardhje, por është në një situatë edhe më të keqe se vjet”, thotë Llapashtica.
“Ky vit në Podujevë i gjeti shumicën e shkollave pa drejtorë të emëruar e me një gjendje të keqe të objekteve, ku nuk ka kushte për zhvillim të procesit mësimor. Do theksuar se vetëm dy raste si ai i shkollës ‘Luigj Gurakuqi’ në Batllavë dhe ‘Sami Frashëri’ në Murgullë. Afro 21 shkolla janë pa drejtorë, por shumica e tyre ishin edhe vitin e shkuar në një situatë të tillë”./Koha