Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka akuzuar Qeverinë Kurti se është duke dështuar në menaxhimin me pandeminë COVID-19.
Tahiri në një konferencë për media ka thënë se po bëhen tri javë që nga formimi i Qeverisë Kurti2 dhe ende nuk ka dhënë asnjë shenjë që është adresë e qytetarëve.
“Në këto rrethana pandemie çdo qytetarë ka nevojë të llogarisë në qeverinë e vendit të tij. Për këto 20 ditë kemi pasur qeveri, por s’kemi pasur qeverisje e as plan për qeverisje. Kjo është mungesë e përgjegjësisë, aftësisë dhe njohurive Që nga dita kur Albin Kurti është bërë kryeministër janë shënuar 14 mijë e 986 raste me covid-19, vetëm në këto 20 ditë 212 qytetarë kanë humbur jetën”, ka thënë Tahiri.
Shefi i deputetëve të PDK-së, ka shtuar se i vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri është urdhri për izolim.
“E vetmja gjë që ka bërë Kurti ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët përderisa ministrat e deputetët e tij kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë. Kurti është vaksinuar vetë dhe ai ndihet komod me faktin se ka pranuar 25 mijë vaksina donacion, ndihmë kjo e siguruar nga qeverisja e kaluar por nuk ka ndërmarrë asgjë për të siguruar edhe një numër të madh të vaksinave”, tha Tahiri.
Ai shtoi se Kosova është në mesin e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit.
Tahiri kritikoi kryeministrin Kurti për fushatën për zgjedhjet në Shqipëri.
“Ne jemi të shqetësuar që përkundër këtyre prioriteteve urgjent, Kurti e konsideron më të rëndësishme të bëjë fushatë për kandidatët e tij që marrin pjesë në zgjedhjet e prillit në Shqipëri”, tha Tahiri.
Ai theksoi se sot kemi një kryeministër të papërgjegjshëm që po udhëheq Kosovën.
“Po i bëjmë thirrje që të tërhiqet nga fushata zgjedhore në Shqipëri, sepse për 20 ditë me të ndërrua jetë 212 qytetarë si pasojë e COVID-19 dhe me i ik përgjegjësisë është e papranueshme”, u shpreh Tahiri.