Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar dorëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Podujevë, Mehmet Gashit, raporton Llapi.info.
Llapshtica në mbledhjen e sotme, pasi që ka prezantuar para Kuvendit Komunal shpenzimet sipas tij të panevojshme të paraqitura në Raportin financiar për vitin 2015, ai ka kërkuar dorëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit Mehmet Gashi duke thënë se asnjë arsyetim financiar nuk mund të kaloj dhe nuk zyrtarizohet nëse nuk lejohet nga kryesuesi.
“Ky kuvend që ti e kryeson nëse nuk ka mundësi me i kontrollue shpenzimet financiare, i nderuari Kryesues është mirë që ti i pari të japësh dorëheqje dhe kuvendin t’ia drejtosh dhe t’i lypësh llogari ekzekutivit.”-tha ndër të tjera Llapashtica.
Edhe Grupi i Këshilltarëve të Vetëvendosjes kishin vërejtje për disa nga shpenzimet e paraqitura në këtë raport duke i cilsuar ato si panevojshme.
Për dallim nga këta të parët Grupi i Këshilltarëve të LDK-së e përgëzoi Drejtorin për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifin, duke thënë se raporti tregon në mënyrë të detajuar shpenzimet e vitit 2015./Llapi.info