Dega e PDK-së në Podujevë përmes një kumtese për media ka reaguar ndaj mungesës për ujë të pijshëm në fshatin Orllan duke e akuzuar komunën e Podujevës se nuk po i plotësojnë as kushtet elemtare për jetë, siç është uji, njofton Llapi.info.
Sipas tyre, mungesa e ujit në Orllan 17 vjet pas luftës është e pajustifikueshme.
“Mungesa e ujit të pijshëm në Orllan edhe 17 vjet pas luftës është e pajustifikueshme në të gjitha rrethanat. Organet komunale, siç kanë neglizhuar edhe shumë çështje të tjera, dhe në këtë formë përveç që e kanë katandisur çdo cep të komunës së Podujevës, ata vazhdojnë të mos i plotësojnë edhe kushtet elementar për jetë, siç është uji”, thuhet në kumtesë.
Dega e kësaj partie gjithashtu ka shkruajtur se si pasojë e problemeve të tilla, fshatrat po braktisen.
“Po ashtu këta banorë përballen edhe me probleme tjera, siç është infrastruktura e keqe, gjë që e vështirëson edhe më tepër jetën në këtë pjesë dhe si pasojë dita ditës këto fshatra po braktisen”, shkruan në kumtesë.
PDK në Podujevë u ka bërë thirrje organeve komunale që ti përmbushim kërkesat e qytetarëve të komunës së Podujevës dhe të mos i lënë anash ato./Llapi.info.