Partia Demokratike e Kosovës dega në Podujevë, sot përmes një komunikate për medie ka reaguar ndaj disa raportimeve për kandidatët e mundshëm të kësaj partie për kryetar të Komunës së Podujevës.

Përmes kësaj komunikate, PDK në Podujevë këto raportime i ka cilësuar si të pa vërteta, spekulative si dhe manipulative, njofton Llapi.info.

Ja komunikata e plotë:

‘’Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë vlerëson se spekulimet që janë publikuar ditëve të fundit në disa nga portalet dhe mediat e Kosovës, për kandidatët e mundshëm të Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës në Podujevë, janë të pavërteta, spekulative dhe me një dozë të manipulimit.
Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë është në vlugun e aktiviteteve te konsolidimit dhe organizimit të saj për të dalë fituese në zgjedhjet lokale që do të pasojnë vitin e ardhshëm.
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, është e vetëdijshme për kapacitetet e saja profesionale dhe kadrovike, për të udhëheq shumë më mirë dhe në dobi për qytetarin e komunës sonë. Nisur nga kjo, ne besojm fuqishëm se këtë fakt qytetari i komunës sonë do ta vlerësojë dhe do ta mbështes me votën e tij në zgjedhjet e ardhshme.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë ende nuk e ka diskutuar emrin e kandidatit të sajë për kryetar të komunës. Këtë do ta bëjë në kohën e duhur dhe opinionin ne komunën tonë, por edhe ai kosovarë, do të jetë i informuar për këtë.
Të gjithë emrat e përveçëm që po lakohen në portale dhe media te ndryshme, janë të respektuar dhe të vlerësuar nga kryesia e degës së PDK-së, por deri sot, përzgjedhja e kandidatit për kryetar të komunës nga radhët e PDK-së, asnjëherë nuk është shtruar për diskutim nga strukturat drejtuese të kësaj dege.
Ne do të jemi të hapur dhe transparent me opinionin dhe mediat, në gjithë procesin e diskutimeve dhe të përzgjedhjes së kandidati tonë për kryetar të komunës, por kërkojmë që të ndërpriten spekulimet dhe thirrja në burime anonime dhe tendencioze. Për çdo informatë të saktë dhe kredibile, për zhvillimet në degën e Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, mund të interesoheni në kryesinë dhe selinë e sajë në qytetin tonë.
Partia jonë do të vazhdojë aktivitetet e saja partiake, me qëllim të konsolidimit dhe organizimit, duke synuar identifikimin e interesave të qytetarëve tanë dhe mbështetjen e mirëqenies dhe jetës më të mirë të tyre, duke prezantuar programin dhe ofertën e saj qeverisëse’’, thuhet në komunikatë./Llapi.info