Partia Demokratike e Kosovës- dega në Podujevë, përmes një komunikate për medie, ka reaguar ndaj kryetarit të kësaj Komune, Agim Veliu i cili sipas tyre është duke sfiduar ligjet e vendit, transmeton Llapi.info
Reagimi i kësaj partie ka ardhur menjëherë pas qarkullimit të një videoje në të cilën shihet vetura e Veliut e parkuar para hyrjes së komunës së Podujevës.
“Në fakt, qytetarët janë mësuar tash e disa vite të shohin veturën e kryetarit Agim Veliut të parkuar para hyrjes së objektit të komunës. Kësisoj, Agim Veliu, veç që nuk përfill ligjin e rregullat e komunikacionit, duke e mbajtur veturën të parkuar aty deri në gjysmë ore ndezur, por pengon edhe hyrjen e qytetarëve në komunë. Në këtë mënyrë kryetari Veliu sfidon edhe policinë e Kosovës, pasi në vend se policia të marrë masa dhe këtë akt ta kualifikojë si shkelje të rregullave të komunikacionit e si rrjedhojë si shkelje të ligjit, ata nuk ndërmarrin asnjë hap të tillë, sepse mund të “gjobiten” nga kryetari. Vlen për ta theksuar këtu se me këtë makinë, kryetari Agim Veliu e dëmton edhe buxhetin e qytetarëve, sepse ai bënë rreth 60 kilometra në ditë në rrugën Podujevë-Prishtinë dhe anasjelltas, pasi banon në Prishtinë duke i shpenzuar rreth 400 litra karburante në muaj” thuhet në këtë komunikatë.
Tutje, PDK thotë se kjo parti edhe më parë ka ngritur këtë shqetësim por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë pasiqë, sipas tyre Veliu është duke vazhduar me avazin e vjetër.
“Dega e PDK-së në Podujevë e ka ngritur kaherë shqetësimin e saj lidhur me këtë çështje, shqetësim ky edhe i qytetarëve. Përkundër kësaj kryetari aktual konsideron se qeverisja e tij është e drejtë dhe vazhdon me avazin e vjetër, duke shkelur ligjet.”
“Dega e PDK-së në Podujevë, konsideron se abuzimi me paranë e qytetarëve për t’i përmbushur egot e veta, nga ana e kryetarit Veliu, është një shkelje të cilën qytetarët duhet ta ndëshkojnë në zgjedhjet e ardhshme, sepse një i tillë nuk u duhet atyre dhe shumë nga ata deklarojë se këtij modeli qeverisës, si me pashallëk, është duke i ardhur fundi”, përfundon reagimi i PDK- së.