Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Podujevë përmes një kumtese për medie ka reaguar ndaj vizitave të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu të cilat sipas tyre janë duke u bërë vetëm për marketing politik, transmeton Llapi.info.
Sipas kësaj partie kanë kaluar 3 vite të këtij mandati dhe kjo praktikë nuk kishte ndodhur asnjëherë nga ana e Veliut, dhe se atij, sipas PDK- së, më shumë është duke i interesuar ky marketing sesa shëndeti i fëmijëve të Podujevës.
Përveç kësaj PDK ka ngritur edhe shqetësimin për gjendjen e nxënësve në këtë komunë ku sipas tyre ata veçse janë duke u rrezikuar nga qentë endacak ata po rrezikohen edhe nga mësimdhënësit e pakualifikuar.
Ja komunikata e plotë e PDK- së
Vizitat e kryetarit aktual të komunës së Podujevës nëpër shkolla së bashku me ekipet e QKMF-së, tani që jemi në vitin elektoral të zgjedhjeve lokale, janë më shumë për marketing politik, sesa që kryetarit Veliu i intereson shëndeti i fëmijëve të Podujevës, pasi kanë kaluar 3 vite të këtij mandati dhe kjo praktikë s’kishte ndodhur asnjëherë.
Nxënësit e pesë shkollave fillore në qytetin e Podujevës, e sidmos tri prej tyre që janë në qendër të qytetit, ajo “Shaban Shala”, “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, janë të rrezikuar në mënyrë të përhershme nga tufat e qenve endacak, të cilët sillen rreth e qark qytetit të Podujevës.
Komuna e Podujevës, ka derdhur mijëra euro në Shoqatën e Gjuetarëve “Llapi”, pagesë kjo për eliminimin e qenve endacak, sipas një marrëveshje të arritur më herët, e problemi vazhdon të jetë i tillë, ndërsa fondet janë thithur, kurse efekti është zero.
Për të siguruar të ardhme të ndritur për të rinjtë dhe të rejat e Komunës sonë, kryetari Veliu duhet të heqë dorë nga politizimi i skajshëm i arsimit në Podujevë, sepse kjo është mënyra e cila po e vret të ardhmen dhe dijen e nxënësve tanë.
Në qeverisjen e komunës së Podujevës nga LDK-ja, ndër vite numri i të punësuarve të pakualifikuar dhe jashtë profesionit në arsimin parauniversitar, fillor dhe të mesëm ka arritur në qindra. Ky lloj operacioni social pa anestezion ka ndikuar që suksesi i nxënësve të shkollave të mesme asnjëherë mos të jetë më i lartë se 2.3, si notë mesatare (mjaftueshëm).
Veprimet e tilla despotike përdhosin dhe persekutojnë dinjitetin njerëzor dhe familjar, mundin dhe djersën e familjeve që ndajnë kafshatën e gojës për shkollimin e fëmijëve të tyre, ndërsa të pakualifikuarit japin mësim, kurse ata me diploma universitare bredhin rrugëve.