Partia opozitare, PDK po kërkon rritje të pagës minimale mbi 300 euro dhe tërheqjen e Trustit deri në 30%.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci në një konferencë për media tha se buxheti i familjeve kosovare po zvogëlohet dhe çmimet po rriten, dhe shporta po zvogëlohet.
“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. Rritja e pagës minimale duhet të bëhet mbi 300 euro dhe të lejohet tërheqja e Trustit”, ka thënë Stavileci në një konferencë për media, shkruan Reporteri.net.
Stavileci ka thënë se pas fitores së 450 mijë familjeve kundër shtrenjtimit të padrejtë, të paarsyeshëm e të paligjshëm të energjisë elektrike, do ta vazhdojmë me punën për gjetjen e rrugëdaljes për ta kthyer fuqinë blerëse të familjeve dhe për të mos lejuar varfërimin e mëtejshëm të tyre, meqenëse Qeverisë nuk po i bëhet vonë.