Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovë, Enver Hoxhaj ka prezantuar programin e Rimëkëmbjes që e ofron partia e tij.

Para se të prezantoj programin, Hoxhaj tha se kanë një ekip të gatshëm për të punuar për Rimëkëmbjen e Kosovës.

“Një ekipi që është rezultat i përpjekjeve njëzetvjeçare të partisë tonë, në krye me Hashim Thaçin e Kadri Veselin”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka shpjeguar se çka domethënë Rimëkëmbja për ta.

“Rimëkëmbje për studentin domethënë studime falas në universitet; rimëkëmbje për të rinjtë e papunë domethënë 15 milionë euro për të nxitur ndërmarrjet e reja; për mjekun domethënë mundësi për të ushtruar profesionin e tij këtu, pranë familjes, në qytetin e tij. Mjeku duhet të ketë pagë dinjitoze 1mijë e 500 euro për mjekun specialist dhe 650 euro për infermierët”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka pasur premtime edhe për fermerët, e që sipas tij rimëkëmbja e PDK-së, do të thotë: shlyerje deri në 50 për qind e kredive; për mësuesit rritje e pagave në 600 euro; për profesorët e shkollave të mesme rritje e pagave në 700 euro; për profesorët universitarë dhe akademikët rritje e pagave në 1 mijë e 800 euro.

“Projekti i Rimëkëmbjes, po ashtu, nënkupton pensione dinjitoze për kategoritë e dala nga lufta, për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Pensionet do të rriten nga 170 në 300 euro. Si dhe rritje prej 40 për qind të pensioneve për pensionistët”, tha ai duke shtuar se ky është vizioni i tyre i përbashkët.