Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për sabotim.
Ai ka bërë me dije se kjo komunë nuk po dëshiron ta zbaton një aktgjykim të formës së prerë të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për t’i liruar një hapësirë që i takon kësaj ministrie.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka treguar se i ka dërguar kërkesë Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu, që të ndihmojë në implementimin e aktgjykimit në fjalë.
“Duke u përballur me mungesë të vazhdueshme të vullnetit për bashkëpunim dhe sabotim nga Komuna e Prishtinës që t’i zbatojë madje edhe aktgjykimet e formës së prerë të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, për t’i liruar hapësirat ku po vepron njëri nga operatorët ekonomik në mënyrë të kundërligjshme, pronë e Ministrisë së Bujqësisë, sapo i dërgova kërkesë Ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu, që përmes kompetencave që ka kjo ministri, të asistojë në implementimin e aktgjykimit”, ka shkruar Peci.
Javën e kaluar, ministri Peci është marrë me AAK-në, të cilës ia ka shkëputur kontratën për shfrytëzimin e objektit ku kjo parti opozitare e ka zyrën qendrore.
Pas kërkesës së Pecit, AAK-ja ka bërë me dije se do ta lirojë objektin e ministrisë, të cilin e shfrytëzonte me qira.