Në fillim të muajit maj, Ministria e Infrastrukturës kishte filluar punimet për zgjerimin e segmentit rrugorë në dalje të Prishtinës, në magjistralen që lidhë kryeqytetin me komunën e Gjilanit.
Ministria e Infrastrukturës, në fillimin e punimeve në këtë segment rrugorë kishte premtuar se punimet do të përfundojnë brenda 55 ditëve të punës.

“Segmenti i rrugës nacionale N25.2, do të jetë i gjatë 600 metra, me katër korsi dhe do të kushtojë 800 mijë euro, kurse punimet në zgjerim të këtij segmenti do të përfundojnë brenda 55 ditësh”, thuhej në njoftimin e Ministrisë.

Në ministrin e Infrastrukturës kanë thënë se afati për përfundimin e punëve ka qenë 55 ditë pune ose 77 ditë kalendarike.

“Është e vërtetë se kemi deklaruar që punimet do të përfundojnë brenda afatit të kontraktuar, prej 77 ditëve kalendarike”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Infrastrukturës.

Por, kanë kaluar 120 ditë kalendarike që nga fillimi i punimeve dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.

Përgjegjësin për këtë vonesë, Ministria e Infrastrukturës ia faturon KEDS-it dhe Ujësjellësit.

“Në momentin e fillimit të implementimit të projektit në fjalë, operatori ekonomik, ka bërë kërkesë në KEDS, në KUR dhe këto dy ndërmarrje janë vonuar në përgjigjet e tyre ndaj situatës dhe të njëjtat nuk janë përgjigjur për shënimet e sakta gjatë projektimit dhe pastaj operatori ekonomik gjatë implementimit ka hasur në probleme të mëdha, në kabllot e rrymës dhe në instalimet e ujësjellësit dhe të atyre të ujërave të zeza”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala i cili i ka mohuar akuzat e Ministrisë se janë vonuar në përgjigjen e tyre.

“Ne i kemi dërguar në kohë dhe deri në detaje të gjitha të dhënat e kërkuara nga ministria. Ne kemi dërguar ekipe speciale që të tregojnë trajektoren dhe thellësinë e kabllove (të paktën tri herë), e kemi caktuar një inxhinier që të mbikëqyrë punimet, dhe jemi duke e dërguar çdo ditë një mbikëqyrës që të inspektojë dhe të ndihmojë kontraktorin”, thuhet në përgjigjen e Buzhalës.

Përkundër këtyre përpjekjeve të KEDS-it, Buzhala thotë se kontraktori i ministrisë i ka dëmtuar disa herë kabllo gjatë punimeve.

“Kontraktori i Ministrisë nuk ka punuar konform kësaj, duke dëmtuar çdoherë kabllot tonë, madje njëherë tetë kabllo njëherësh, duke na shkaktuar telashe të mëdha në furnizim me energji elektrike, duke përfshirë edhe konsumatorët e mëdhenj që janë andej përreth”, thotë Buzhala.

Një problem tjetër gjatë zhvillimit të këtyre punimeve, sipas Ministrisë së Infrastrukturës janë edhe shpronësimet dhe një pompë e derivateve të naftës të cilat sipas Ministrisë janë duke u zgjidhur.

Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se brenda afatit prej 10 ditëve do të fillohet asfaltimi i dy korsive për të mundësuar qarkullimin më të lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe për të vazhduar tutje deri në përmbylljen e tërësishme të këtij projekti.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj këtë vikend ka vizituar punimet në zgjerimin e rrugës N25.2, në hyrje të Prishtinës, për të cilën ka premtuar se punimet do të përfundojnë deri më 10 shtator.