5 mijë e 300 euro shpenzime për telefonata janë shpenzuar nga komuna e Podujevës vetëm për tre muaj kohë.
Kjo është bërë e ditur sot në pikën e rendit të ditës në Kuvendin Komunal të Podujevës kur po diskutohej raporti financiar janar- mars 2018, shkruan Llap.info.
Përveç kritikave të shumta që ekzekutivi i Podujevës mori për shkak të shpenzimeve të shumta, ajo u kritikua edhe për shkak të mos realizimit të projekteve gjatë kësaj periudhe.
Madje, ky raport u konsiderua edhe si shabllon i viteve të kaluara. Vendenis Lahu nga Vetëvendosje tha se përveç problemeve të shpenzimeve, raporti po tregon që kemi probleme të mëdha edhe në të hyra.
“Vërehet se është i përafërt me vitet e kaluar. Tregon se ka një planifikim jo të mirë. Nga buxheti i vitit 2018 përveç problemeve të shpenzimeve raporti tregon se ka probleme si në të hyra ashtu dhe në shpenzime kapitale. Realizimi është mjaftë i ulët pasi janë realizuar vetëm 17 % e të hyrave të planifikuara. Me një analizë të thjesht nëse vazhdon kjo mënyrë e menaxhimit atëherë deri në fund të vitit do të shpenzohen vetëm 68% e mjeteve pasi vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti janë shpenzuar vetëm 1.7% e mjeteve financiare” tha ai.
Tutje, Lahu tha se “edhe ato projekte të cilat janë realizuar janë në fund të vitit 2017 dhe janë realizuar në kohë fushate siç është asfaltimi i rrugës ‘Zahir Pajaziti’ e ku në këtë vit planifikohet të prishet”
Kritika të shumta lidhur me mos realizimin e projekteve në këtë tre mujor dhe shpenzime të shumta për telefonata kishte edhe këshilltari i PDK- së, Rafet Llapashtica.
“Vetëm në këtë 3 mujor kemi 5 mijë e 300 euro për telefon që është një shumë marramendëse. Kjo për arsye se Kuvendi nuk ka shpenzime. E di se në vitin e kaluar kryetari i Kuvendit Komunal si ka pas as 10 euro n tel me na e thirr. E pa pranueshme është sepse ne i kemi thirrjet pa pagesë ditë e natë. Asnjë cent nuk paguhet sepse është marrëveshje mes kompanisë telefonike dhe kuvendeve komunale. 6 mijë euro për telefon, jam i bindur se as kryetari vet si ka shpenzuar, po edhe drejtor me pas qenë si kisha nënshkruar gjithë ato shpenzime” tha Llapashtica.
Përveç kësaj, edhe Llapashtica ka hedhur kritika lidhur me asfaltimin e rrugës së qendrës e cila sipas planit do të prishet sërish këtë vit.
“Shtrimi i rrugës vjet e prishja sivjet përgjigjet i jep veç ai që e ka bo. Tash kur te prishim qysh i arsyetojmë para qytetarëve 20 mijë euro” th ai.
Se kishte ngritje të shpenzimeve e tha edhe drejtori i Drejtorisë së Financave, Isuf Latifi. Ai tha se në këtë vit kemi 5 % ngritje të shpenzimeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Këtë vit ka pasur rritje të shpenzimeve prej 5 % krahasuar me vitin paraprak të kësaj periudhe. Kurse sa u përket të hyrave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka mungesë të të hyrave prej 12 %” tha ai./Llapi.info