Në shkollat e komunës së Podujevës brenda gjashtë muajsh e kanë braktisur shkollën 81 nxënës.

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili deri para pak ditësh ishte drejtor i Arsimit, ka thënë se meshkujt prijnë sa i përket braktisjes. Sipas tij, ky numër arrin në 63 nxënës meshkuj.

“Numri i nxënësve që kanë braktisur shkollimin gjatë vitit shkollor 2014-15 në të gjitha nivelet e arsimit në Komunën e Podujevës është 81.

Në niveli prej klasës 1 deri në 5 nuk ka asnjë rast që e ka braktisur shkollimin. Ndërsa prej 6 deri në 9 janë 5 raste, prej klasës 10 deri në 12, brenda këtij viti shkollor ka pasur lëvizje nga një shkollë në shkollën tjetër dhe për pasojë janë evidentuar se e kanë braktisur shkollimin 76, e që në të vërtetë disa prej tyre e kanë ndërruar shkollën për arsye të ndryshme (afërsia e shkollës, drejtimi i preferuar, ndërrimi i vendbanimit etj.), sidomos nxënësit e klasës së 10”, ka thënë Nexhmi Rudari, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij, nga numri i përgjithshëm i nxënësve që i kanë braktisur bankat shkollore, 18 janë femra, ndërsa 63 meshkuj. Shumica janë shqiptarë. Ish-drejtori i Arsimit thotë se shkaqet që i shtyjnë këta nxënës ta lënë shkollën janë të ndryshme: problemet familjare, ekonomike – sociale etj.

“Në Drejtorinë Komunale të Arsimit është formuar Ekipi komunal për parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe në të gjitha shkollat funksionojnë ekipe të tilla të themeluara sipas UA 19/2012. Ekipet shkollore për parandalimin e braktisjes i vizitojnë familjet e nxënësve që për ndonjë arsye kanë ndërprerë shkollimin dhe i bindin prindërit për rëndësinë e shkollimit. Në raste të veçanta përfshihet edhe EKPBSH Ekipi komunal”, ka theksuar Nexhmi Rudari.

Çështja e braktisjes në arsimin 9-vjeçar, sipas tij, është e rregulluar dhe e sanksionuar me akte ligjore dhe nënligjore.
“Kurse më problematike është braktisja në shkollat e mesme të larta ku ky nivel nuk është i obliguar ligjërisht për nxënësit e kësaj moshe, por megjithatë kjo nuk nënkupton që nuk merremi edhe me këtë problematikë.

Drejtoria e Arsimit ka kërkuar nga shkollat që t’i funksionalizojnë plotësisht ekipet për parandalimin e braktisjes dhe të bashkëpunojnë ngushtë me prindërit e nxënësve për t’ua bërë të qartë rolin dhe rëndësinë e arsimit në përgjithësi”.

Edhe pse arsimi fillor është i obliguar me ligj dhe për prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë parashihen dhe gjoba, DA-ja në Podujevë nuk ka bërë asnjë fletëparaqitje deri tash.

Ndjekja e mësimeve në shkollën e caktuar të nivelit përkatës është e detyrueshme për nxënësit e moshës së arsimit të detyruar, thuhet në Ligj, i cili tregon edhe për gjobat në rast se nuk zbatohet nga ana e prindërve.