Sëpatën e sharrën duket se nuk i heq kurrë nga dora. Mali gjëmon çdo ditë nga zhurma që krijojnë pajisjet e tij.
Me dokumente njihet si “masakruesi” i malit, porse vetë nuk e pranon se është i tillë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ahmet Bujakut (1980) nga fshati Pakashticë e Epërme i Podujevës i janë shkruar një thes fletëparaqitje për prerje ilegale të pyllit. Deri tashti i ka marrë disa dënime. Njërin e ka larë me burg dhe 6500 euro gjobë.
Gjobë ka paguar edhe 7 herë të tjera nga 250, 290, 300 e 350 euro, gjithsej 1990 euro. Së fundmi i është shqiptuar edhe një dënim tjetër, por ende nuk është bërë i plotfuqishëm. Janë 59 fletëparaqitje që Ahmet Bujakut i kanë shkuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Dega në Podujevë, për prerjen e 1.414 trungjeve, kryesisht ahu, në fshatin Sylevicë të Podujevës.
Ai është akuzuar se prej vitit 2010 deri në vitin 2015 ka prerë pa leje 326.71 kubikë dru. Për këto vepra penale të vazhdueshme “vjedhje pylli” nga neni 358, paragrafi 2 të KPRK-së, gjykata ka vendosur që të pandehurin ta gjykojë me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 muaj dhe gjobitje prej 300 eurosh… (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)/Koha.net