Mediet shtetërore të Turqisë raportuan se së paku 25 mijë civilë janë larguar nga rajoni veriperëndimor i Idlibit, në Siri, dhe janë nisur drejt Turqisë. Kjo besohet të ketë ndodhur si pasojë e shtimit të bombardimeve nga forcat siriane dhe ruse në këtë rajon.
Tash për tash, në Turqi janë të strehuar 3.7 milionë refugjatë sirianë dhe ky është grupi më i madh i refugjatëve në botë.
Autoritetet turke po frikësohen se një valë e re e refugjatëve sirianë mund të niset drejt Turqisë. Turqia vazhdimisht ka kërkuar ndihmë nga aleatët për t’i strehuar grupet e mëdha të refugjatëve.
Qindra njerëz janë vrarë këtë vit nga sulmet në zonat e banuara me civilë në Idlib, në bazë të të dhënave të agjencive të Kombeve të Bashkuara. Ndonëse në këtë zonë zyrtarisht po mbahet armëpushim, ekipet e shpëtimit thanë se 17 persona u vranë nga sulmet ajrore të së premtes në Maarat al Numan.
Në anën tjetër, diktatori sirian, Bashar al-Assad, është zotuar se do ta marrë nën kontroll Idlibin, duke ngjallur frikë te banorët, të cilët po nisen drejt Turqisë.
Agjencia “Anadolu” tha se mbi 200 mijë sirianë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Idlib që nga fillimi i nëntorit, kur kishin nisur sulmet ruse dhe siriane, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.