Në Kuvendin e Komunës së Podujevës është miratuar plani i punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB për vitin 2019, njofton Llapi.info

Në këtë pikë të rendit të ditës u fol për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, teksa edhe janë dhënë sugjerime që disa plane të punës t’i shtohen këtij këshilli, në mënyrë që të rritet siguria.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Podujevës, Faik Muçiqi, ka thënë se mirëpret propozimet nga grupet parlamentare në lidhje me planin për gjendjen e sigurisë.

Në këtë seancë është kërkuar që në Kuvend për gjendjen e sigurisë të raportojë edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi. Krejt kjo, pasi që sipas Lëvizjes Vetëvendosje nuk është e qetë gjendja e sigurisë në vend pas rasteve të ndodhura.

Shefi i GK të LDK-së, Avni Fetahu, në emër të këtij grupi e ka konsideruar të nevojshme këtë plan pune, duke dhënë edhe sugjerime që këtij plani t’i shtohen. Sipas tij, organeve përgjegjëse u mbetët të punojnë dhe të jenë në nivel të detyrës.

“Grupi i këshilltarëve të LDK-së, planin e punës të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi [KKSB], e konsideron të nevojshëm dhe të dobishëm për këshilltarët, por edhe për qytetarët e Podujevës. Mbetët që organet përgjegjëse për krijimin e sigurisë në bashkësi të jenë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë që kanë. Ne si LDK kemi tri sugjerime lidhur me këtë plan pune. 1.Të përfshihen projektet vetëdijesuese lidhur me dukuritë negative në shoqëri. 2.Koordinimi edhe më i madh në mes akterëve relevantë për krijimin e sigurisë në bashkësi. 3.Njoftimet për takimet e KKSB-së dhe njoftimet tjera të sponsorizohen”, ka thënë Fetahu.

Ndërsa, Adelina Stublla nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka konsideruar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Podujevë, ashtu siç është konsideruar në mbledhjen e fundit të mbajtur në KKSB-së.

“Më datë 19 shkurt është mbajtur mbledhja e KKSB-së, ku është vlerësuar e qetë gjendja e sigurisë në Podujevë. Ky këshill në Komunën tonë punon sa për sy e faqe, sa për të marrë mëditje e jo për të treguar se punon për të siguruar qytetarët. Para disa muajsh u vra  një person në Surkish dhe ende nuk është zbardhur rasti. Thuhet se ka siguri të plotë, kurse në fshatin Dumosh janë vjedhur dy lopë. Kanë kaluar dy muaj nga viti 2019, ndërsa qytetarët janë dëshmitarë të aksidenteve me fatalitet, grabitjeve  e therjeve me thika. A ka siguri kur asgjë nuk merret me qentë endacakë. Ku ka siguri kur personat me çrregullime mendore bredhin rrugëve të Podujevës. Pastaj zonat kufitare, prerja e pyjeve në mënyrë ilegale, çështja e sigurisë së nxënësve. Mungesa e hapësirës së lirë në trotuare nga makinat”, ka shtuar ajo.

Më tej, Stublla ka thënë se ky këshill duhet të punojë më shumë dhe në të mirë të qytetarëve.

“Vetëvendosje kërkon nga ky këshill të punoj në të mirë të qytetarëve. Kërkojmë që në seancën e radhës që prezentë të jetë edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë dhe të raportojë për gjendjen e sigurisë së vendit”, është shprehur Stublla.

Ndërsa, Rafet Llapashtica në emër të grupit të PDK-së, ka potencuar se Komuna e Podujevës dhe akterët tjerë duhet t’i përforcojnë planet për t’i dhënë përgjigje situatës në vend.

“Në planin vjetor është folur veç për pyjet dhe zjarret si fenomene të rrezikut. Rrezik ka pasur në muajt e fundit nga plaçkitjet dhe therjet me thikë nëpër shkolla. Komuna e Podujevës së bashku me të gjithë akterët duhet t’i përforcojnë planet e veta dhe t’iu jepet përgjigje situatës. I pari për me jep përgjigje është kryetari, drejtori i arsimit dhe komandanti i Stacionit të Policisë. PDK mbështet formalisht, por dokumenti për siguri të përforcohet dhe t’i shtohen planet tjera që të kemi siguri”, ka thënë Llapashtica.

Se që siguria në shkolla vazhdon të jetë e ulët e ka thënë edhe Agim Behluli, këshilltar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

 “Nuk është shumë larg që kemi pasur një plaçkitje në një pompë benzine, e është dashur të rritet stafi. Këtu asnjëherë nuk e kemi pasur komandantin e Policisë së Podujevës. Problemi më i madh është te shkolla”, tha Behluli.

Pas diskutimeve, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi ka thënë se çështja e vjedhjeve dhe siguria në shkolla dominon në Podujevë.

“Është me të drejtë që siguria po dominon te shkollat, por edhe vjedhjet që kanë qenë aktuale. Nuk ka gjë të keqe që të jetë në Kuvend edhe komandanti i Policisë në Podujevë”, tha Muçiqi.

Pas diskutimeve, plani i KKSB-së u miratua njëzëri nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin Komunal të Podujevës./Llapi.info