Kryeministri Albin Kurti për herë të parë të hënën nga Brukseli e konfirmoi se muaji mars i vitit të ardhshëm u është dhënë si afat nga ndërkombëtarët kur do të mund të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë bazuar në atë që njihet si plani franko-gjerman.
Ka disa javë që ka nisur diskutimi për propozimin franko-gjerman, përmes së cilës synohet kapërcimi i pengesave të mëdha dhe arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.
Plani franko-gjerman i erdhi në tavolinë kryeministrit Albin Kurti nga përfaqësuesit e këtyre dy vendeve gjatë muajit shtator.
Dy vendet më të fuqishme të politikës evropiane Franca dhe Gjermania, përpiluar një plan se si do të mund të arrihet marrëveshja mes dy vendeve pas më shumë se 10 vjetëve nga nisja e negociatave.
Informatat zyrtare ishin të pakta nga të dyja vendet ndërkohë që liderët u iknin konfirmimeve se çka përmbanë saktësisht plani.
Ishte përmendur edhe muaji shkurt si koha kur ndërkombëtarët synonin përmbylljen e këtij kapitulli, pikërisht në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë.
Por asnjëherë nuk është konfirmuar një informatë e tillë. Madje edhe për planin franko-gjerman nuk u dhanë detajet deri para pak ditësh kur edhe ishte afati për dorëzimin e qëndrimeve zyrtare nga Kosova e Serbia rreth tij.