Në vetëm pak orë, tri aksidente me persona të lënduar kanë ndodhur në rajonin e Podujevës, raporton Llapi.info.
Aksidentet kanë ndodhur në raste të ndara, derisa katër persona janë dërguar për tretman mjekësor. Të gjitha këto i ka konfirmuar për Llapi.info, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
Fillimisht një përplasje mes një traktori dhe një veture ndodhi në fshatin Llugë rreth orës 16:00, ku mbetën të lënduar dy persona.
“Sot rreth orës 16:00 në fshatin Llugë, të Podujevës, ka ndodhur një aksident komunikacioni, ku janë përfshirë një veturë dhe një traktor. Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit dy persona kanë pranuar trajtim mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, është shprehur Ahmeti.
Ndërkaq, një këmbësor është goditur nga një veturë në lëvizjes në qendër të qytetit të Podujevës.
“Rreth orës 17:20, në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një automjet në lëvizje dhe një këmbësor. Si pasoj e aksidentit lëndime trupore ka pësuar këmbësori, i cili është dërguar për trajtim mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, ka thënë zëdhënësja e PK-së, Flora Ahmeti.
Kurse, rreth orës 21:00 në fshatin Peran të kësaj Komune ka ndodhur një vetë-aksident, nga i cili ka mbetur i lënduar një person.
“Sot rreth orës 21:00 në fshatin Peran të Podujevës, ka ndodhë një vetaksident trafiku. Si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti”, ka thënë Ahmeti.
Sipas statistikave ditore të Policisë së Kosovës, vetëm dje në nivel vendi kanë ndodhur 67 aksidente, prej tyre, 31 kanë rezultuar me persona të lënduar./Llapi.info