40 persona humbën jetën nëpër aksidente të ndryshme në komunikacion vetëm në pesëmujorin e parë të këtij viti, raporton Gazeta Express. Gjatë muajit maj ndodhën 9 aksidente fatale ku humbën jetën gjithsej 11 persona, ndërsa u lënduan 974 persona të tjerë.
Po ashtu, janë gjithsej 660 aksidente që përfunduan vetëm me dëme materiale. Policia e Kosovës gjatë muajit maj ka shqiptuar 36617 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes më të shtuar gjatë pjesëmarrjes apo qarkullimit në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.
Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim për të gjithë dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore”, thuhet në apelin e PK-së.