Komuna e Podujevës ka humbur dy procese gjyqësore. Njëra për shkak të mos vendosjes së shenjave të komunikacionit dhe tjetrën për mos hartimin në detaje të një projekti, shkruan Llapi.info.

Kjo është bërë e ditur dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal nga drejtori i drejtorisë së Financave, Isuf Latifi.

Ai tha se që të dy këto procese në të cilat është paditur Komuna e Podujevës, kanë rezultuar pa sukses për komunën.

Procesi i parë, sipas tij, është humbur ndaj një shofereje e cila ka paditur komunën për shkak të mos vendosjes së shenjave të komunikacionit në rrugë.

“Këtu i kam dy vendime gjyqësore. Njëra është e një aksidenti në rrugë pa dalje. Shoferja e ka paditë komunën pse atu nuk ka qenë e vendosur një shenjë e cila sinjalizon që ajo rrugë është pa dalje. Ajo e ka fituar kontekstin gjyqësor pas s’di sa vitesh që është përballë me gjyqin. E ka fituar kontekstin gjyqësor dhe e ka marrë  një shumë të konsiderueshme të mjeteve për atë aksident komunikacioni që e ka pësuar ajo” tha Isfi.

Kurse, kontekstin tjetër, për të cilin drejtori nuk dha shumë informacione, komuna e ka humbur për shkak të mos detajizimit të një projekti.

“Edhe vendimi tjetër gjyqësor është për hartimin detal të një projekti, për arsye se kur është hartuar ai nuk i ka pas gjithë dokumentet e plotësuar për pagesë dhe e ka shti përmes procesit gjyqësor edhe e ka fitu kontestin dhe e ka marrë pagesën”  tha ai.

Gjithë këto shpjegime drejtori i Drejtorisë së Financave, Isuf Latifi i ka dhënë pas disa pyetjeve të bëra nga këshilltari i PDK- së, Rafet Llapashtica  i cili pyeti se për kë janë ndarë 7 mijë e 300 euro të cilat në raport janë kategorizuar ‘për përfitues individual’/Llapi.info