Një zjarrfikësit në Podujevë i ka ecur paga pa punuar. Gjithë kjo, pasi që i njëjti ndodhet në Gjermani. Me pagën dhe pozitën e tij dyshohet se janë bërë keqpërdorime përgjatë tre vjetëve në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë, raporton Llapi.info
Përkundër faktit që ish-pjesëtari i këtij shërbimi, Baki Tahiri, ka shkuar në Gjermani, dyshohet se edhe rroga e një zjarrfikësi i ka shkuar në xhirollogari për çdo muaj në atë vend.
E, që për këtë çështje edhe është i njoftuar shefi i këtij shërbimi, Milaim Ajvazi. Llapi.info ka kontaktuar me këtë të fundit, por i njëjti nuk ka dhënë përgjigje.
Përveç tij, edhe emri i drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Podujevë, Faik Muçiqi, është përmendur në këtë çështje.
Në anën tjetër, këtë e ka bërë të ditur në seancën e fundit në Kuvendin Komunal, Rafet Llapashtica nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tij, jashtëligjshëm është keqpërdorur pozita dhe paga e zjarrfikësit i cili ka emigruar në Gjermani.
“Për skandalin nga ana e shefit të zjarrfikësve këtu në Podujevë, Milaim Ajvazi, njësi e cila menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. I njëjti në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë edhe pse ishin në dijeni, se punëtori i kësaj njësie Baki Tahiri, në detyrë shofer, i cili ka emigruar në Gjermani. Për tre vjet rresht, shefi i tij Milaim Ajavazi i njoftuar, në bashkëpunim edhe me shefin e ish-personelit, Ahmet Ahmeti në mënyrë të jashtëligjshme ia ruajnë vendin e punës dhe e keqpërdoren pagën e tij për tre vjet. Për këtë të janë të njoftuar të katërtit, Milaim Ajvazi, Vedat Maloku, Ahmet Ahmeti që ka qenë i dënuar edhe për një vepër penale, mirëpo ka qenë i njoftuar edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, nuk e ka mohuar këtë, por që ka shtuar se ky rast është në procedurë ligjore.
“Këtë çështje nuk mund të debatohet se është procedurale dhe çështje e komisionit për të mos ndërhyrë në çështje të procedurës. Sigurisht, disa janë fakte, por këto i merr komisioni. Secili i ka përgjegjësitë e veta dhe ne jemi që kjo çështje të jetë ligjore”, ka thënë Muçiqi.
Në lidhje me këtë, Bajram Ajeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nëse ka vepër penale në këtë çështje, duhet të ketë edhe seancë të jashtëzakonshme./Llapi.info