Llapi ka arritur të marrë një fitore të madhe në udhëtim te Prishtina, me rezultat 1-2, në kuadër të xhiros së nëntë në Supeligën e Kosovës, raporton Llapi.info.

Kryeqytetasit golin e epërsisë e gjetën në minutën e 22’ me anë të Besnik Krasniqit, i cili realizoi nga pika e bardhë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Llapi e nisi me shumë vrull pjesën e dytë, kur iu afrua golit në minutën e 50-të me Selmanin, por që goditja e tij u ndal nga shtylla.

Prishtina mbeti me një futbollist më pak në minutën e 88-të, kur Guathier Mankenda u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.

Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi për mrekulli Llapi, që në minutën e 93-të barazoi me Kastriot Selmanin pas asistimit nga Valmir Veliu 1-1.

Dy minuta më vonë, Llapi kompletoi rikthimin fantastik në kryeqytet, kur Valmir Veliu realizoi për t’i dhënë tri pikë të mëdha llapjanëve.

Pas kësaj fitoreje, Llapi tash ka nëntë pikë dhe radhitet në pozitën e parafundit, ndërkohë që Prishtina ka 10 sosh dhe pozicionohet në vendin e gjashtë./Llapi.info