Ka përfunduar afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Për shtatë ditë sa ka qenë i hapur afati për aplikim, 234 mërgimtarë kanë dërguar aplikacionet e tyre për të votuar në Podujevë.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valmir Elezi.
“Gjatë periudhës së regjistrimit (16 – 23 shkurt) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 234 aplikacione, prej tyre 233 janë pranuar përmes e-mailave të shërbimit votues dhe 1 aplikacion përmes faksit të KQZ-së”, ka thënë Elezi.
Elezi ka treguar për Express se nga 234 aplikacione, janë aprovuar 228.
“Menjëherë pas pranimit, shërbimi votues i ka shqyrtuar këto aplikacione dhe ka aprovuar 228 prej tyre, ndërsa ka refuzuar 6 të tjera për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore”, ka theksuar Elezi.
Ndërkaq në statistikat që Express ka siguruar nga KQZ-ja, thuhet se interesim më të madh për te votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, kanë mërgimtarët që ndodhen në Gjermani, ku janë 117 aplikacione të aprovuara, duke pasuar me ata të Zvicrës që janë 46.
E në zgjedhjet lokale të kaluara të cilat janë mbajtur 2017, duket se ka pasur interesim më të vogël të mërgimtarëve për të votuar.
Atë vit përmes postës kanë votuar vetëm 92 persona, ndërkaq kanë aplikuar për regjistrim 170.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars. kjo pasi kryetari i deritanishëm, Agim Veliu, dha dorëheqje nga posti i tij, pasi u zgjodh ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në garë për të vazhduar postin e Veliut janë Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, Nexhmi Rudari i LDK’së dhe Naim Fetahu i PDK’së.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qendror Zgjedhor për ndarjen e mjeteve financiare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës.
Në dokumentin që e ka siguruar Gazeta Express, Qeveria ka ndarë 393 mijë e 474 euro për mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Podujevës, 100 mijë euro më pak sesa kishte kërkuar KQZ-ja.
KQZ-ja kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndajë 491 mijë euro për dy raundet në këtë zgjedhje.
Ministri, Besnik Bislimi në mbledhjen e qeverisë e quajti zhvatje kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndarë nga buxheti i shtetit rreth 116 mijë euro për paga dhe mëditje të komisionerëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
Në vendim thuhet se mjetet e ndara sipas këtij vendimi mund të përdoren vetëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë në kategorinë e shpenzimeve mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale dhe mjetet e pashpenzuara duhet të kthehen në buxhetin e Kosovës.