Llapi dhe Drita kanë barazuar 2-2 në kuadër të xhiros së pestë në elitën e futbollit kosovar, njofton Llapi.info.
Llapjanët e nisën mirë ndeshjen pasi që në minutën 6’ realizuan gol me anë të sulmuesit Kastriot Selmani.
Pas golit të hershëm të pësuar, gjilanasit morën iniciativën për të barazuar rezultatin, por shpërdoruan disa raste shënimi teksa portieri i Llapit, Bledar Hajdani u tregua i shkathët duke ndalur disa goditje të kundërshtarëve.
Me rezultat minimal 1-0 në favor të Llapit përfundoi pjesa e parë në “Zahir Pajaziti”.
Mysafirët e nisën mirë pjesën e dytë ku realizuan gol në minutën e 50’ me anë Liridon Lecit, për t’i barazuar shifrat 1-1 në Podujevë. Në minutën e 87’, Gilberto Fortunato shënoi për t’i dhuruar epërsinë e parë Dritës. Krejt në fund të ndeshjes, Behar Maliqi barazoi gjithçka pas gabimit të portierit.
Pas këtij barazimi, Llapi grumbullon 8 pikë në vendin e katërt, ndërsa Drita arrin në kuotën e 10 dhe radhitet në pozitën e dytë.
Në fundjavë, Llapi udhëton në Prishtinë për t’u ndeshur me Flamurtarin, ndërsa Drita pret në shtëpi Trepçën ’89.